Nexhipi tregon Kukësin në merkato: Limajn e duan nga Kroacia, Dakun e zëvendëson një sulmues i huaj

Kukësi është duke zhvilluar seancat përgatitore në Antalia, ndërsa për 9 ditë do të vazhdojë edhe kampionati shqiptar. Një periudhë e gjatë pushimi kjo për ekipet e Superiores që kanë kohën për të rikuperuar dhe të bëjnë ndërhyrjet e duhura, për të mbyllur këtë sezon.

I ftuar në “Zona Gol” ishte drejtori sportiv i verilindorëve, Nderim Nexhipi. Ai ka komentuar edhe ndeshjen e yjeve ku ishte pjesë te Shqipëria, ku shfaq krenarinë që ishte pjesë e saj, por edhe një dëshpërim që nuk ka përfaqësuar më herët kuqezinjtë. Gjithashtu është prekur edhe tema e Kukësit ku është folur për merkaton.

“Më bën krenar që isha te ndeshja e yjeve, duke parë edhe kauzën që u mblodhëm. Kam pasur dëshirë që të vesh fanellën e Shqipërisë edhe si lojtar, por kur kisha mundësinë, nuk u arrit në periudhën e Oto Boriç. Kur mora vesh që do isha në atë përballje, po stërvitesha dhe unë me Kukësin këtu në Antalia (qesh). Nuk doja që ndeshje të mbaronte.

Sa i përket merkatos së Kukësit është e vështirë që të gjesh lojtarë pa kontratë, pasi është e vështirë të blesh kartonin. Ne jemi ekip i kompletuar dhe Dakun e larguam pasi kishte pak hapësira dhe donte që të luante. Me largimin e këtij sulmuesi kemi një emër që mund ta afrojmë dhe zyrtarizojmë këto ditë, ndërsa në vendet e tjera nuk do të kemi ndërhyrje. Nëse e afrojmë këtë sulmues në vendin e Dakut do të jetë i huaj, pra jo i Superiores. E di që janë edhe 4 muaj për t’u mbyllur, por nuk ka vend për ndërhyrje. Sa i përket Abazajt, e konfirmoj që do të jetë pjesë e jona deri në fund të këtij kampionati pasi kemi kontratë me Anderlehti.

Duhet të theksoj se për Limajn ka një interes nga Kroacia. E dimë që nuk do të përfitojmë ato shifra si nga shitja e Gurit, por është interesant për tregun. Shpresojmë që të fitojmë titullin dhe Kupën e Shqipërisë”, ka thënë Nexhipi. /Sport Ekspres/