Nexhipi: Po kërkojmë pasuesin e Gurit

0

Drejtori sportiv i Kukësit: Ndeshja me Partizanin më e mira e Kukësit, Gurin nuk e mbajmë dot edhe sezonin e ardhshëm

Nderim Nexhipi mund të cilësohet si “arkitekti” i Kukësit në janar. Ish-mesfushori i njohur ka nisur një aventurë të re te kampionët në postin e drejtorit sportiv dhe po bën mjaft mirë. I ftuar në “Fair Play” në “News 24”, ai ka komentuar ndeshjen me Partizanin, skuadër që e ka përfaqësuar si futbollist. Drejtori i Kukësit vlerëson paraqitjen e skuadrës në ndeshjen me “demat”, duke e veçuar si një nga ndeshjet më të mira të skuadrës kuksiane, por veçon aftësitë e sulmuesit Sindrit Guri, për të cilin tregon se do jetë e vështirë që ta mbajnë në Kukës edhe për një sezon. Në të njëjtën kohë, 33-vjeçari tregon se që tani po mendohet për merkaton e verës, ku prioritet është gjetja e një pasuesi për shkodranin.

NDESHJA – “Këto ndeshje, kur janë si derbi, çdo herë duhet të impenjohesh maksimalisht. Skuadra tregoj karakter, pasi vinim nga disa ndeshje jo të mira, edhe pse kishim marrë pikët e plota. Duhej të reflektonim, pas kësaj periudhe, pasi më herët kishim treguar se dimë të luajmë mirë. Në ndeshjen me Partizanin skuadra reagoi mirë dhe me meritë arritëm që të fitonim. Partizani kishte një ecuri shumë të mirë. Nuk pësonte as gol prej 5 ndeshjesh. Që në fillim Kukësi tregoi se do dominonte. Ishte fat që shënuam herët dhe më pas e menaxhuam shumë mirë. Edhe kundërshtari nuk e priste një Kukës aq agresiv. Kjo ishte këshilla e trajnerit për këtë sfidë. Që në fillim e treguam se do ishte vështirë për Partizanin. Ishte një nga ndeshjet më të mira të Kukësit”.

VENDI I DYTË – “Nëntë pikë diferencë janë avantazh i madh, por kampionati nuk ka mbaruar. Kemi dhe gjysmëfinalen të mërkurën dhe nuk ka vend për eufori. Janë të gjithë të vetëdijshëm për këtë gjë. Duhet të japim maksimumin për të arritur vendin e dytë dhe për të marrë Kupën e Shqipërisë, që janë objektivat tona”.

KARRIERA SI DREJTOR SPORTIV – “Në verën e kaluar e mbylla me futbollin e luajtur dhe në janar mora një ofertë nga presidenti Gjici që t’i bashkohem ekipit. I jam mirënjohës, pasi nisa një aventurë të re, në një post ku e shoh veten në të ardhmen. E falënderoj presidentin për këtë mundësi. Me Partizanin kam kaluar mjaft mirë kur kam qenë pjesë e skuadrës. Kam respekt për Partizanin, por jemi profesionist dhe në momentin ku je në një skuadër tjetër bën më të mirën për atë skuadër. Uroj që të bëjmë sa më mirë te Kukësi”.

ÇELËSI I SUKSESIT – “Shumicën e lojtarëve i njoh dhe jam gati çdo ditë në stërvitje dhe në biseda me lojtarët i kam ndihmuar. I kam njohur disa nga lojtarët e Partizanit me të cilët kam luajtur kur kam qenë atje. Jam i vetmi në klub që kam kontakt direkt me trajnerin. Kemi biseduar për Partizanin me njohuritë që kam pasur unë. Edhe trajneri i dinte pikat e forta dhe të dobëta të Partizanit. Përderisa jam pjesë e Kukësit, të gjithë që nga presidenti dhe deri te punëtori i fundit kemi bërë punën tonë për këtë fitore”.

GURI – “Pas largimit të Bakajt, kishim disa biseda me trajnerin, ku kemi diskutuar për të, pasi iku kur ishim në mes të kampionatit. Ishte vendim i papritur. Të gjithë, duke nisur që nga presidenti dhe deri te trajneri jemi konsultuar dhe them se kemi marrë një vendim të drejtë. Bakaj donte të largohej me çdo kusht. U krijuan më tepër hapësira për Gurin, i cili dita-ditës dhe java-javës po rritet akoma dhe më shumë. Guri e di se është njeriu kyç, por edhe trajneri e tha se Guri vetëm nuk luan dot. Ka shumë cilësi dhe pres me zhvillimin e tij, me ecurinë e tij të marrë dhe një ftesë në Kombëtare. Ka shumë vetëbesim dhe do të shkojë në nivele shumë të larta. E them me shumë bindje. Ka shumë interes dhe do jetë e vështirë për ta mbajtur në Superiore edhe edicionin e ardhshëm Gurin”.

SHITJA – “Të gjithë e dimë se futbolli është biznes dhe ka ardhur koha që edhe Kukësi të përfitojë. Gjici investon shumë dhe Guri është aset i klubit. Guri ka dhe dy vite kontratë me Kukësin”.

MERKATO – “Po mendojmë që tani për verën. Duhet t’i planifikojmë gjërat. Me këtë fitore them se do luajmë në Europë. Do bëjmë çmos, pasi presidenti kërkon që të ketë lojtar me shumë kualitet. Po kërkojmë lojtarë që do e zëvendësojnë Gurin”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here