Nexhipi: Po bëjmë blerje të sigurta

Nderim Nexhipi ka vetëm pak kohë që është bërë pjesë e Kukësit, por dora e tij ka nisur të duket. Në lidhje direkte me emisionin ”Zona Gol” në “Supersport”, drejtori i Kukësit foli rreth detyrës së re dhe ecurisë së skuadrës:

BASHKËPUNIMI – “Shpresoj që me Kukësin të bëj disa gjëra, që nuk janë bërë më parë. Filozofia e drejtuesve është të mos mendohet vetëm për blerje, por edhe për shitje. Besoj se në të ardhmen do të bazohemi te lojtarë të rinj. Ka shumë talente në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri. Ata luajnë futboll cilësor dhe në të ardhmen mund të kalojnë në kampionate të mëdha europiane”.

BESIMI – “Ka ardhur koha për ndryshime, diçka që e ka thënë dhe presidenti, i cili më ka dhënë një rol të rëndësishëm. Ai pret shumë punë në të ardhmen dhe besoj se të gjithë e dinë se për gjëra të reja nevojitet kohë. Dihet si funksionojnë klubet në Shqipëri dhe në Ballkan. Kemi shembullin e Skënderbeut, që ka funksionuar shumë mirë, ka marrë lojtarë nga Kosova dhe Maqedonia dhe më pas i ka transferuar jashtë. Këtë filozofi duhet ta ndjekin të gjitha skuadrat në Shqipëri”.

PAKULT – “Trajneri është një emër i njohur në futbollin gjerman. Jam munduar t’i jap informacion për kampionatin shqiptar. Është shumë i kënaqur për grupin dhe ka vendosur disiplinë. Kërkon që skuadra të luajë futboll dhe e ka bërë shumë mirë. Ka njohuri për futbollin tonë, e ka parë skuadrën në çfarë gjendje është. Mendoj se është një zgjedhje shumë e mirë. Ai ka rikthyer besimin te lojtarët, pasi ky ka qenë problemi kyç më parë. Nuk janë bërë shumë ndryshime, por ekipi po funksionon dhe jemi duke ecur mirë, uroj të vazhdojmë kështu në kampionat”.

MERKATO – “Për afrimet jemi të vetëdijshëm se është e vështirë të gjejmë lojtarë të lirë. Na u dha mundësia me Shkodrën, edhe pse s’ka luajtur shumë. Për dy afrimet e tjera jemi konsultuar me trajnerin. Presim që Zhderiç të zëvendësojë Hallaçin. Trajneri e njeh mirë, pasi e ka pasur në skuadër në të shkuarën. Po bëjmë blerje të sigurta, pasi është shumë e rëndësishme të mos gabojmë në merkato. Kemi bërë tre ndeshje shumë të mira. Ka pasur shumë njerëz që na kanë ndjekur, mendoj se ka pasur edhe menaxherë që i kanë ndjekur lojtarët tanë”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *