Nespor nuk ia del, probleme pa fund për çekun e Skënderbeut

Probleme pa fund për sulmuesin Martin Nespor, çekun milioner të Skënderbeut. Edhe pse erdhi në momentet e fundit të merkatos verore, madje u cilësua si një ndër blerjet më të mëdha të Superiores, nuk ka arritur ta tregojë asnjëherë vlerat e tij, pasi ka luajtur vetëm pak minuta në fazën e parë. Dy ditë më parë Nespor pësoi një tjetër dëmtim në pjesën e mesit. Ky problem duket se është i mbartur dhe më i madh nga sa dukej dhe sulmuesi milioner ka humbur edhe ndeshjen ndaj Flamurtarit në Vlorë. Sipas stafit mjekësor, Nespor nuk mund të luajë të enjten dhe gjendja e tij do të monitorohet, nëse mund të riaftësohet për ndeshjen e së dielës me Kamzën apo jo. Nëse sulmuesi vazhdon me probleme të tilla, është e sigurt që në janar Nespor do të largohet. Presidenti Takaj nuk mund të vazhdojë të shpenzojë miliona për një lojtar, i cili nuk luan. Por gjithçka mbetet për t’u verifikuar në javët në vazhdim. Nëse Ali Soue do të jetë i lodhur pas kthimit nga Gambia, Nespor nuk mund ta zëvendësojë, pasi nuk është në gjendje, kështu që trajneri Daja duhet të shohë mundësi të tjera. Ndoshta mund të jetë Xhejms në majë të sulmit. Mungesa e Nespor është e sigurt në Vlorë, ashtu si ato të Jashanicës dhe Nimagës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *