Nesër kalendari i Superligës, sa shumë “etje” për datat e DERBIT!

Ngjitja e Tiranës në Superligë pas një viti “në purgatorin” e Kategorisë së Parë, sigurisht, mund të quhet edhe si një lajm i bukur, për faktin se rikthehet të luhet ai, DERBI i KRYEQYTETIT.

Natyrisht, tifozeritë përkatëse do të donin që dy skuadrat të luftonin për titullin këtë sezon që do të nisë pas thuajse 3 javësh, por që kjo do të shihet në vazhdim…

E megjithatë, ajo që është e sigurt është se dy tifozeritë mezi kanë pritur këtë moment dhe ditën e nesërme, në ambientet e federatës do të hidhet shorti i Superligës 2018-2019, ku sipas formatit të këtyre dy viteve të fundit, përballjet do të jenë katër, në katër faza.

Struktura e njëjtë bën që të shijojmë derbin katër herë, pa harruar ndonjë përplasje në Kupën e Shqipërisë. Tifozët e kryeqytetit dhe jo vetëm, kanë etje për këtë sfidë që vjet mungoi, por që sivjet nuk do të mungojë aspak dhe pritet të jetë edhe më e bukur…

Sepse, pak rëndësi kanë objektivat e ekipeve kur luhet derbi. Ajo është NDESHJA!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *