“Nesër do shqyrtojnë kërkesën e FSHF-së”, Kokëdhima i vesh fajin qeverisë: Nuk ka kuptim diskutimi do ketë kampionat apo jo

Çështja e sportit është kthyer në një temë të gjerë diskutimi kohët e fundit, por fatkeqësisht nuk ka marrë vëmendjen e qeverisë. Fillimisht me pjesën e ndihmës financiare, e për të kaluar më pas te mos bashkëpunimi me FSHF-në, e cila ende mbetet pa një përgjigje nga institucionet shtetërore. Kritikat nuk i kursen as presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima, i cili ka folur ditën e sotme për “Studio Sprint” në “ABC News“.

Në fjalën e tij Kokëdhima tha se ditën e nesërme qeveria do të shqyrtojë kërkesën e vazhdueshme të Federatës shqiptare, sa i përket një date se kur do të rinisë kampionati. Shteti shqiptar mban një faj në lidhje me sportin sipas kreut të klubit fierak, duke pasur përgjegjësinë për problemet që futbolli mund të ketë.

SITUATA – “Komuniteti i futbollit nuk është ndjerë i lumtur me qëndrimet e Qeverisë. Kemi përshtypjen se Qeveria nuk bisedon me futbollin dhe ky nuk është komunitet i vogël. Vetëm brenda industrisë së futbollit, janë të angazhuar 20 mijë shqiptarë: Sportistë dhe trajnerë të Shqipërisë. Ky komunitet ka pritshmëri të lartë që Qeveria jo vetëm ta përfaqësojë, por të përmbushë dhe përgjegjësitë e saj”.

VENDIMI – “Është thënë se nesër Qeveria do të shqyrtojë kërkesën e përsëritur të FSHF-së, për të caktuar datat e fillimit të kampionatit. Edhe Turqia ka caktuar datën e fillimit të kampionatit. Edhe Italia ka filluar stërvitjen. Sot Merkel caktoi datën e fillimit të futbollit në Gjermani. Është një gjë shumë themelore për ne që të caktohen datat. Për sa i përket masave që këto ekipe, futbollistë dhe aktivitete, të mos e shpërndajnë virusin, kjo është një gjë sigurisht që ka vëmendjen e të gjithë klubeve”.

QEVERIA FAJTORE – “Kur ne nuk ndihemi të përfaqësuar, ne nuk ndihemi mirë me marrëdhënien me Qeverinë. Kam parasysh këtu dhe disa qëndrime të kritikueshme, sepse Qeveria, së pari njëherë, gjatë kësaj pandemia, ka mbajtur disa qëndrime që nuk manifestojnë as respekt, as përgjegjshmëri. Kur ishte qëndrimi për mbështetjen e futbollit, Qeveria ka thënë jo. Qeveria ka injoruar të gjitha përgjegjësitë e veta kundrejt futbollit dhe i ka konsideruar njerëzit e futbollit si njerëz që abuzojnë, që bëjnë evazion fiskal, që nuk deklarojnë paga, gjëra të cila nuk janë aspak të vërteta. Qeveria është vetë përgjegjëse: Nëse sot nuk ka Fair-Play Financiar, është faj i Qeverisë. Nëse ka klube që përkëdhelën nga Qeveria, është faj i Qeverisë. Kështu që ne duam të shikojmë që Qeveria mbështet lojën e ndershme fiskale, sportive. Ne duam të shikojmë një Qeveri që reformon këtë industri të futbollit, me qëllim që tregu të jetë i begatë dhe jo i mjerë siç është. Unë them që të reflektojnë palët, Qeveria të reflektojë. T’i marrë në konsideratë kërkesat e FSHF-së. Ne duam që ta kemi Qeverinë partnere, mbështetëse”.

VERDIKTET – “Autoritet drejtuese, shtetërore, të bëjnë pjesën e tyre të përgjegjësisë. Shumica dërrmuese e futbollit europian, ku ka popullsi shumë më të mëdha, zhvillohen kampionatet. Nuk ka kuptim që Shqipëria të diskutojë nëse do të bëjë kampionat apo jo. Për ne është e papranueshme që Qeveria të bëjë sjellje të tilla, me ministra të sportit që thonë: “Nuk e di, nuk jam i informuar”. Këto nuk e ndihmojnë Qeverinë. Ne presim që Qeveria të ulet menjëherë dhe të përgjigjet në kohë dhe të përgatiten fillimet e stërvitjes. Të gjithëve duhet t’iu jepet shansi që të marrin nga ky kampionat çfarë meritojnë”.

FUTBOLLI, EKONOMI E BEGATË – “Një problem është menaxhimi i pasojave të pandemisë, ndërsa problemi tjetër është vazhdimësia e futbollit në normalitet. Sa i përket pandemisë, është e qartë që Qeveria tregoi atë botëkuptim që ka, duke thënë që bota e futbollit nuk është e imja, duke e injoruar dhe duke e ofenduar. Shikoni Kosovën, që janë më të varfër se ne, e patë vetë se çfarë shembulli dha Kosova. Ofruan 5 milion euro, pjesën më të madhe e mori futbolli. Futbolli shqiptar nuk do të ishte i varfër, por do të ishte ekonomi e begatë, që do t’i jepte mundësinë shumë klubeve që të ishin të suksesshme dhe të kishin përfitime”, ka thënë Kokëdhima./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *