Nëse pështyn dy herë në fushë do dalësh me të kuq, një rregull i pazakontë është gati nga FIFA

Nga Klaudio Ndreca

Futbolli pritet të rikthehet në shumë shtete, ndërsa pandemia e Koronavirusit është në hapa më të ngadaltë në përhapje. Madje në disa vende janë gati për të shpallur një betejë të fituar, megjithëse është ende herët për të festuar zyrtarisht.

Por si do të rikthehet futbolli? Një gjë është e sigurtë, kurrsesi siç jemi mësuar zakonisht. Pra nuk do të jenë të njëjtat rregulla, madje ndryshimi do të shkojë përtej 5 zëvendësimeve. Michel D’Hooghe, kryetari i Komitetit Mjekësor të FIFA-s propozon edhe një rregull të veçantë.

Nëse një lojtar pështyn njëherë në fushë, atëherë ndëshkohet me kartonin e verdhë. Nëse kjo do të përsëritet, atëherë del menjëherë nga fusha e lojës. E pazakontë kjo që flitet dhe pritet të zbatohet në ditët në vijim.

“Kjo është një praktikë e zakonshme e futbollit, e cila nuk është shumë higjienike. Kështu që kur fillojmë të luajmë, mendoj se duhet ta shmangim sa më shumë që të jetë e mundur. Nuk e di sa është e mundur. Ndoshta duhet të ndëshkoheni për pështyrje në fushë me karton të verdhë”, tha D’Hooghe për “The Telegraph”. /Sport Ekspres/