“Nëse jam unë problem te Tirana, iki në shtëpi”! Torasa jep spektakël: Goli që më shijoi më shumë se seksi

Nga Klaudio Ndreca

Agustin Torasa ishte i ftuar në emisionin “Fan Zone”, atje ku ka dhënë një shembull me mënyrën e të arsyetuarit. Teksa pyetet për këtë situatë të kaluar dhe sesa e vështirë ka qenë për të, lojtari ka sjellë në vëmendje rastin e shumë shqiptarëve të tjerë që detyrohen të shkojnë në punë për të siguruar të ardhurat e mbijetesës. Gjithashtu duke këshilluar shokët e skuadrës që të mos e kenë mendjen te luksi i 9 pikëve diferencë nga vendi i dytë, pasi është e rrezikshme.

“Në këto kohë unë jam afër familjes dhe kam qendruar më tepër për ta. Kjo është një situatë e çuditshme, pasi jemi jashtë normalitetit, por jo e vështirë. E vështirë është për ata që dalin dhe duhet të shkojnë të punojnë dhe kanë vështirësi ekonomike për të blerë ushqime. Por unë jam mirë në këtë drejtim dhe kam një familje dhe shtëpi të këndshme.

Vetëm para pak minutash mësova se është mbërritur në vendimin që kampionati të rifillojë në 3 qershor. Sigurisht që ne na duhen më shumë ditë stërvitje, pasi kemi dy muaj pushim. Por ky vendim i takon specialistëve dhe ne lojtarët duam që të luajmë gjithmonë.

Diferenca prej 9 pikësh vlen shumë për ne dhe kemi pasur shumë vështirësi për të mbërritur deri këtu. Por është e rrezikshme nëse futemi me mendimin se e kemi të fituar, pasi janë vetëm 3 ndeshje dhe ne kemi shumë ndeshje direkte. Duhet që të mos e kemi mendjen te 9 pikët, por sikur të ketë nisur tani.

Unë falenderoj Arbi Laçin që pati besimin dhe më mori te Tirana. Në ndeshjen e parë u dëmtova dhe ndenja 2 muaj jashtë. Ishte e vështirë pastaj për mua që të përshtatesha. U ndieva vërtet keq aqsa një ditë vendosa të marrë drejtorin Laçin dhe i them: “Nëse jam unë problemi, atëherë flasim edhe me presidentin Halili po marrë valixhet dhe po iki në shtëpi”. Por ata kanë besuar shumë tek mua dhe tani jemi në kohë të mira.

Këtu në Shqipëri është më mirë sesa në Argjentinë për derbin. Unë ika te Tirana pasi jam një profesionist dhe lojtar, nuk jam fanatik që të lidhem vetëm me një fanellë. Dalë në rrugë dhe më respektojnë duke më kërkuar foto. Goli ndaj Kukësit? Po iu përgjigjem shkurt, më shijoi më shumë se seksi”, tha Torasa. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *