Nervozizëm i panevojshëm, sezoni i Kamzës mbetet fantastik

Ndeshja kundër Skënderbeut të dielën prodhoi shumë polemika, por asgjë nuk është kompromentuar dhe në Lushnjë është sfida më e rëndësishme

Kamza nuk ishte mundur asnjëherë nga Skënderbeu këtë sezon, deri të dielën. Aty u mund, duke shpërdoruar avantazhin me golin fantastik të Realdo Filit. E mundi skuadra më e fortë e kampionatit, por për drejtuesit e Kamzës arbitri ishte një faktor shtesë që çoi kryesuesit te suksesi. Në fakt, nervat e Kamzës ishin edhe me Emiljano Vilën, i cili në janar ishte pranë Kamzës dhe më pas u nis për në Turqi, por me destinacion Skënderbeun. A pati gabime të gjyqtarit që ndikuan te rezultati i ndeshjes? Ndoshta, por nuk ranë shumë në sy dhe më shumë gabuan anësorët, me 2-3 momente të dyshimta. Realisht, Kamza nuk kishte arsye pse të nervozohej aq shumë, sepse këtë sezon ka pasur edhe ndeshje të tjera ku është ndjerë e penalizuar, por nuk e ka bërë aq të madhe. Ndoshta është moda: kur Kukësi ankohet dhe akuzon për korrupsion arbitrin kundër Kamzës, ndoshta kjo e fundit reflekton dhe thotë: “Kështu qenka loja? Atëherë po bëjmë edhe ne si të indinjuar, sepse me siguri do japë rezultat pas një jave!”.

LUSHNJA NË FOKUS – Realisht, Kamza nuk duhet të mërzitet nëse humbet ndaj Skënderbeut a Flamurtarit, që po fluturojnë këtë sezon, por nuk duhet të gabojë ndeshjet që realisht duhet t’i fitojë. Një e tillë luhet të shtunën në Lushnjë: përballë është një ekip i mbytur, pa asnjë objektiv për pjesën e mbetur të sezonit, që ende nuk ka trajner pas largimit të Dedjes dhe ende nuk ka gjetur qetësi. Aty është një rast ideal për të marrë 3 pikë dhe Kamza e ka të qartë se një vend në renditje do ta ngjitë, duke parë që Kukësi pret Laçin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *