Nejmar plas “bombën”: Të gjithë e dinë, bëra çdo gjë të largohesha dhe nuk më lanë

Ndeshja e PSG-së me Strasbourg nuk ishte edhe aq e thjeshtë sa mendohej për kampionët e Francës. Takimi do të përfundonte me rezultatin 1-0 dhe i vetmi gol që do të dhuronte tre pikët, erdhi nga Nejmar.

Pikërisht njeriu që urrehet më shumë nga të gjithë te tifozët e PSG-së, për shkak të dëshirës së tij për t’u larguar. E si për t’ia shtuar më tepër dozën, Nejmar ka bërë një rrëfim me sinqeritet të tepruar pas ndeshjes, duke thënë se donte të largoheshe nga skuadra, por nuk e kanë lënë.

“Të gjithë e dinë që kam dashur të largohem, dhe e bëra shumë qartë. Nuk do të shkoj më në detaje, sepse prek njerëzit e tjerë. Por unë jam akoma një lojtar i PSG dhe qëllimi im është të jem i lumtur në fushë. Koka ime është në PSG.

Unë gjithmonë e sqarova se nuk kam asgjë kundër PSG ose kundër tifozëve. Nuk ishte asgjë kundër klubit, ato ishin arsye personale. Unë kisha arsyet e mia që dua të largohem, e bëra të qartë se ishte ajo që doja, unë bëra çmos për ta bërë atë, por për fat të keq ata nuk më lanë. Është diçka që tashmë ka ndodhur, kjo është hera e parë dhe e fundit që flas për atë që ndodhi, sepse tani mendoj vetëm për PSG.

E trishtë që më vërshëllejnë. Por unë e di që tani çdo herë që do të luaj në shtëpi, është njësoj sikur të luaj në transfertë. Tifozët duhet të duartrokasin përgjatë 90 minutave. Kjo është më e rëndësishme sesa të vërshëllesh lojtarin. Nga e njëjta gojë që vijnë këto vërshëllima, nga e njëjta do të vijnë edhe brohoritjet për golat e shënuar”, ka thënë Nejmar. /Sport Ekspres/