Nejmar nuk bën pjesë, zbulohen katër preferencat e Zidanit

Reali i Madridit i ka mbyllur llogaritë e këtij sezoni, duke dalë jashtë çdo objektivi. Tani ka nisur të mendojë për sezonin e ardhshëm dhe hapi i parë i Perez ishte rikthimi i Zinedin Zidan, ndërkohë që ai i ardhshmi pritet të jetë forcimi i skuadrës me një lojtar që do e çojë ekipin në rrugën drejt trofeve. Në Madrid kanë kursyer kohët e fundit, pasi nënshkrimi i fundit i madh ishte ai i Hames Rodriges para 5 vitesh.

Sipas madrilenes ”As” trajneri i ri ka bërë disa seleksionime rreth dëshirave të merkatos, duke eliminuar emra si Nejmar apo Herri Kejn. Në preferencat e francezit janë Sadio Mane, Eden Hazard apo Pol Pogba. Perez është gati të shpenzojë shumë për të plotësuar dëshirën e Zidanit.

SADIO MANE – Është dëshira e parë që Zidan ka në mendje. Sulmuesi i Liverpulit pëlqehet shumë dhe ka qenë një prioritet që para largimit, por ardhja e Lopeteguit e zbehu interesin e “galaktikëve” kundrejt senegalezit. Reali pritet të bëjë një ofensivë të madhe për të marrë shërbimet e tij.

HAZARD – Belgu i pëlqen shumë teknikut francez dhe lojtari me deklaratat e tij ka lënë të kuptohet se dëshiron të veshë fanellën e “Los Blancos”. Bllokimi i merkatos së Çelsit i komplikon gjërat, por ardhja e Pulisiç në verë e ndihmon Realin të arrijë te Hazard.

POL POGBA – Mesfushorit francez i pëlqen shumë të punojë me bashkëkombasin e tij dhe anasjelltas. Ai do ishte i gatshëm ta linte Mançester Junajtid nëse i telefonon Zidan. Shifra e transferimit të mesfushorit arrin 150 milionë euro.

KILIAN MBAPE – Ky i fundit, ka deklaruar se do të jetë në Paris vitin e ardhshëm, por një ofertë e madhe financiare si dhe ideja e të veshurit të fanellës së Real Madridit, duke i shtuar dhe një mësues si Zidan, do e tundonin 20-vjeçarin. Nejmar dhe Kejn nuk preferohen më nga trajneri i madrilenëve. Braziliani nuk ka lënë shije të mirë me sjelljen e tij jashtë fushe dhe shihet si një problem më shumë në dhomat e zhveshjes. Për anglezin Zizu mendon se 250 milionë euro që kërkon Totenhemi janë shume, ndërkohë që ato para mund të përdoren për afrimin e disa lojtarëve të tjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *