Në zbulim të Parajsës “me tribuna”, aty ku tifozi pa pagesë është deti!

0

Speciale Anton Cicani

Kemi menduar gjithmonë për “Camp Nou”, “Santiago Bernabeu”, “Marcana”, “Wembley” e kështu me radhë… Impiante të mrekullueshme, ose ndryshe “tempuj” futbolli! Aty ku emocionet të përshkojnë trupin në fotografi dhe televizor, imagjinoni të ulesh në tribunat e tyre…

Sigurisht, një stadium i mbushur plot e përplot është një kënaqësi për sytë, edhe nëse mund të rrethohet nga një panoramë e trishto, nga një zonë ku nuk banon njeri, apo në periferi, mes kaosit të trafikut, pa harruar qendrat e qyteteve… Të gjitha këto janë larg… estetikës.

Pikërisht, ky është gabimi ynë i madh, sepse lëmë pas dore edhe këtë veçori. Peisazhi është ai që vërtet na bën të dashurohemi me diçka.

Shpesh, poetët dhe shkrimtarët qëndronin ulur në ndonjë kodër apo mal, teksa duke u ngazëllyer me natyrën, gjenin shpirtin e tyre poetik dhe frymëzimin për të shkruar disa vargje. Shpesh, piktorët qëndronin me orë të tëra duke admiruar natyrën…

Shumë pak poetë, piktorë apo shkrimtarë kanë qenë tifozë futbolli, por e sigurt është që në Norvegjinë e largët, nëse do t’i jepej mundësia që një ditë të vizitonin një stadium dhe të shkruanin për të, vendi ideal do të ishte në Ishujt Lofoten, Norvegji, pranë Detit të Ftohtë të Veriut, aty ku sigurisht mijëra vite më parë, “vikingët” me anijet e tyre niseshin për të eksploruar dhe pushtuar vendet përreth…

Immagine correlata

Ai stadium quhet “Henningsvaer Stadion”, një perlë që ka “ngecur” mbi ishull…

Ishujt Lofoten në veri të Norvegjisë janë një arkipelag me një vizuale të mahnitshme dhe pakrahasueshme. Ishuj të vegjël në më pak se 25 mijë banorë, për një sipërfaqe më shumë se 1000 km². Karakteristika e këtyre ishujve është lartësia e sipërfaqes që, sikur “shtrihet” në detin e mrekullueshëm të Norvegjisë.

Por, çfarë mund të bëhet aty? Shihet panorama dhe kaq? Jo, jo! Gaboheni rëndë. Tani, sigurisht, rruga nuk do t’iu bjerë nga ato anë, por nëse iu bje, mos harroni të kujtoni këtë histori dhe këtë kuriozitet. Dikush ka menduar të ndërtojë një stadium në fshat (e pamundur ta quash qytet një vend ku ka rreth 500 banorë) të Heningsvaerit.

Nëse e sheh nga lart, me dron, të duket sikur stadiumi ka dalë nga deti dhe sikur spektatori i vërtetë që nuk mungon kurrë është pikërisht uji që e rrethon.

Sigurisht, ky stadium përbëhet nga një fushë sintetike dhe vetëm në vitin 1983, “Henningsvaer Stadion” është i arritshëm në vijë tokësore.

Diçka tjetër kurioze është fakti se stadiumi është ndërtuar në nivel deti, por për të mos i dhënë mundësi topit të përfundojë në të, kanë realizuar disa rrjeta që e rrethojnë. Mjaft ironike nëse mendon se pikërisht rrjetat e peshkimit janë aktiviteti kryesor i vendit.

A po, harruam dhe diçka! Nuk keni parë kurrë asnjë skuadër nga ato që njihni në Norvegji, të luajë këtu. As në kategorinë e dytë, as në të tretën. Motivi? Në “Henningsvaer Stadion” luajnë vetëm ekipet amatore.

Sa keq, sepse duele si Barcelona-Real, Milan-Inter, Mançester J.-Liverpul, Boka Juniors-River Plejt, Çelsi-Arsenal, Fenerbahçe-Beshiktash, Bajern Mynih-Dortmund, PSV-Ajaks, Selltik-Rejnxhërs, apo qoftë edhe Partizani-Tirana, do të bëheshin edhe më magjike, si përrallat që lexonim kur ishim fëmijë…

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.