Në tetor “spikati” në Shqipëri, tani e kërkon e gjithë Europa

Në javët e fundit e gjithë vëmendja ka qenë e përqendruar në Botërorin “Rusi 2018”, megjithatë në vendet nordike vera nuk sinjalizon fundin e kampionatit, por fillimin. Në Norvegji po hedh hapat e parë një talent me një potencial të jashtëzakonshëm. Quhet Erling Holand luan si sulmues, tmerrësisht shtatlartë, 1 metër e 95 centimetra i gjatë dhe çka është më mbresëlënësja, është vetëm 17 vjeç.

Holand aktivizohet me skuadrën e Moldes, ku në dy ndeshjet e fundit në kampionat ka shënuar 6 gola, që normalisht kanë sjellë interesin e shumë skuadrave nga më të mëdhatë nëpër Europë. Juventusi përflitet se ka ofruar pesë milionë euro, ndërsa te Junajtid po e marrin në konsideratë. Golave të Halandit nuk i kanë shpëtuar dot as kuqezinjtë tanë, pasi në tetorin e kaluar, sulmuesi 17-vjeçar ishte protagonisti i një fitore dërrmuese 7-1 të nordikëve në stadiumin Selman Stërmasi ndaj Shqipërisë U19 të Erion Bogdanit.

E ardhmja  e djaloshit duket e ndritur, te Molde ka një trajner me  një karrierë për t’u pasur zili, si ish-sulmuesin e Mançester Junajtid, Ole Gunar Solskjaer, mësues më të mirë hiletë e golit vështirë se mund të gjesh. Por, padyshim mësuesi më i madh është babai i tij, Alf-Inge Holand, ish-futbollist i Mançester Sitit me 34 aktivizime për kombëtaren norvegjeze. I riu Erling duket i destinuar për sukses, por futbolli fatkeqësisht na ka treguar se nuk vetëm surpriza të bukura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *