Në shtëpi është “non grata”, Florian Kamberi ua kthen me të njëjtën monedhë: Ëndërr e imja, që kur erdha në Skoci

Florian Kamberi do të lëvizte nga Hiberniani te Rangersi, si një huazim me të drejtë blerje në orët e fundit të merkatos së dimrit. Një lëvizje kjo që do të përkëthehej në shumë hapa përpara për sulmuesin e Kombëtares, pasi flitej për një klub me shumë histori në Skoci dhe mbi të gjitha, nën drejtimin e Steven Gerrard.

Fjalët e para emocionuese nuk u pritën mirë te Hiberniani, teksa Kamberi u shpreh që iu realizua një ëndërr. Për këtë arsye ka pasur sulme të vazhdueshme nga “shtëpia”, me tifozët, mediat shpeshherë, por njëkohësisht edhe figura të Hibernianit që vazhdojnë të sulmojnë Kamberin.

Madje duke supozuar edhe se trajneri Gerrard nuk e dëshiron aq shumë, megjithëse vetë trajneri ka dhënë vlerësimet më të mëdha për këtë lojtar. Në deklaratën e fundit të dhënë nga Kamberi, ua kthen edhe njëherë me të njëjtën monedhë, megjithëse tashmë në shtëpi mund të quhet “non grata” për një kthim mbrapsht.

“Rangersi është një klub i jashtëzakonshëm. Më e mira që mund të jetë, gjendet këtu. Që kur erdha në Skoci para 2 vitesh, ndeshja ime e dytë ishte me Rangers. Që atëherë doja që të luaja për ta. Tani dua vërtet që të qendrojë gjatë këtu”, tha Kamberi. /Sport Ekspres/