Në Shqipëri vjedhin edhe ajrin, turpi i shtetit shqiptar me Parkun Olimpik

0

Në vitin 2015 u trumbetua me të madhe ndërtimi i Parkut Olimpik, në ambientet pas klubit Dinamo. Bravo, vendim i shkëlqyer për sportin shqiptar, sepse jo gjithçka lidhet me futbollin. Në vitin 2017 u inaugurua një kompleks që nga jashtë ishte një mrekulli, kështu thanë edhe krerët e Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit, kur e inspektuan, por lanë një mal me porosi për ambientet e brendshme, sepse mangësitë ishin të shumta. Duhej punuar shpejt, për të pritur kualifikueset e volejbollit për femra dhe me pas edhe evenimentete tjera, por si shqiptarë që jemi, i bëjmë gjërat shkel e shko dhe kur u zhvilluan kualifikueset, në mesin e verës, në pallatin e sportit ku luhen ndeshjet e volejbollit mungonte sistemi i aspirimit, duke bërë që të luhej në temperatura mbi 35 gradë.

U tha se ishte problem kalimtar, se nga urgjenca e ndeshjeve nuk u mundësua instalimi i aparaturave të kondicionimit dhe se do të rregullohej gjithçka brenda pak muajsh.

Tani jemi në maj, një vit më vonë dhe nuk ka ndryshuar asgjë. Vjet nuk kishin kohë, sivjet një zot e di ku kanë shkuar paratë për pajisjen e pallatit të sportit me sistem ajrimi. Thonë që janë montuar, por nuk qenka lidhur kontrata me KESH-in. Një vit pritje që shteti të lidhë kontratë dritash!

E ndërtoi qeveria Parkun Olimpik, e mori në dorëzim Bashkia, e inauguruan me ceremoni pompoze dhe Edi Rama luajti edhe vetë basketboll, por tha: “Qenka vapë, zgjidheni këtë punë”. Kaq, iku dhe u harrua gjithçka. Kthehu, zoti Rama, shikoje krijesën tende, që është kthyer në një sauna gjigante, ose frigorifer gjigant, varet nga stina. Gjeje ku shkuan paratë e Parkut Olimpik, kush i vodhi.

Sot në pallatin e sportit të Parku Olimpik kishin ardhur fëmijë nga gjithë Ballkani, për të marrë pjesë në një kampionat mbarëkombetar artesh marciale (Taekwondo). Qindra fëmijë, nga 7 deri në 16 vjeç pak a shumë, të gjithë të sikletosur nga i nxehti i tmerrshëm brenda ndërtesës, ndërsa të gjithë vraponin herë pas here jashtë për të marrë frymë. Një turp i madh, brenda ishte kthyer në një stallë, ku mbizotëronte era e djersës, ndërsa me siguri në të ardhmen pakkush do të pranojë të vijë për evente të tilla në Tiranë.

Me siguri ndërkombëtarët do të vijnë sërish kur të kërkojmë të organizojmë ndonjë event ndërkombëtar, por do të thonë: “Ikim, këta nuk duan veten, jo më ne”. Kthehu, zoti kryeministër, eja dhe bëj një ndeshje basketbolli të plotë, nga qershori a korriku. Mundësisht sill ministrat dhe kryebashkiakun e Tiranës, që të luajnë ose ta ndjekin ndeshjen nga shkallët, por me kusht që të mos dalin nga salla pa hyrë mirë.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.