Në Shqipëri vdiq futbolli i sallës  

0

Federata Shqiptare e Futbollit vendos t’ia kalojë Ligës Amatore, e cila tashmë do ta organizojë si kampionat minifutbolli nëpër zona

 

Në Shqipëri vdiq futbolli i sallës. Dymbëdhjetë kampionate të luajtura që nga sezoni 2003-2004 duket sikur janë hedhur në pleh e bashkë me to edhe historia e ringritjes së futbollit me pesë nga hiçi. Po pse jo është hedhur në pleh dhe kontributi i kombëtares së futbollit të sallës, e cila vetëm një muaj më parë ka dalë e dyta në Kaunas të Lituanisë në kualifikueset e Evropianit. E thënë ndryshe, bashkë me vdekjen e futbollit të sallës duket sikur vdesim për herë të dytë atë që e themeloi. Alfred Ziajin. Pa thënë që shkon dëm puna e të gjithë atyre presidentëve, trajnerëve dhe lojtarëve, të cilët iu përkushtuan këtij sporti me aq mundësi sa patën. Por çfarë ka ndodhur? Për mëse tre muaj rresht drejtuesit e faqes në internet www.futsalplanet.com janë interesuar se kur do të nisë kampionati i futbollit të sallës shqiptare. Për një përgjigje për ta, por dhe për një informacion për gazetën “Sport Ekspres”, i jemi drejtuar ish-përgjegjësit të futbollit të sallës në FSHF, Endi Hyka. “Nuk jam më drejtuesi i futbollit të sallës. I është kaluar Ligës Amatore dhe do të zhvillohet nëpër zona në formë kampionati minifutbolli”. Një skandal më vete, sepse si do të justifikohen ato të ardhura që jep Federata Evropiane e Futbollit për futbollin me pesë? Sigurisht që një justifikim është, mungesa e infrastrukturës dhe papërshtatshmëria e Pallateve të Sportit për ta bërë normal këtë lojë. Mirëpo kur qeveria ka menduar të investojë në Pallatet e Sportit edhe për këtë lojë çfarë do të thuhet nesër “nuk e luajmë më këtë lojë”? E vërteta është se klubet kanë vite që i mbajnë me financa në minimum skuadrat. Aq më shumë që tashmë kanë edhe barrën tjetër të të paguarit të udhëtimit për të shkuar në Kupën e Kampioneve (është hequr marrëveshja e bërë prej vitesh që nëpërmjet të ardhurave nga UEFA të paguhej udhëtimi nga FSHF). Por gjithsesi kjo nuk e justifikon të bërin futbollin e sallës amator, që do të thotë pa një kampione të tillë, e cila do të jetë në edicionin e ardhshëm përfaqësuese e Shqipërisë në UEFA FUTSAL KUP. Në thelb shoqata kombëtare e minifutbollit ka pasur zhvillimin e futbollit të rrugicave, të rrugës e të lagjes, apo dhe futbollin e luajtur nëpër kalçeto. Pa shmangur këtu detyrimin për të bërë edhe futbollin e rërës. Por asnjëherë nuk pat hequr dorë nga futbolli pesë me pesë që gjithsesi i dha kënaqësi shqiptarëve edhe duke u luajtur ashtu “shqiptarçe”. Shkurt, kalimi në nivele amatore dhe zhvillimi vetëm i kampionatit të minifutbollit e heqje dorë nga futbolli i sallës është vdekje për këtë disiplinë…

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image