“Në Shqipëri kthehem vetëm për Elbasanin”, Sadiku: Nuk e kam thënë kurrë që jam si Ferrari

Ndërprerja i erdhi në momentin e tij më të mirë dhe për këtë është i vetëdijshëm edhe vetë Sadiku. Megjithatë sulmuesi i Shqipërisë e ka punën dhe përkushtimin pjesë të pandashme të tijën dhe beson se do të bëjë mirë sërish. Në një intervistë me “Fax Web“, Armando Sadiku ka prekur shumë tema, duke nisur nga stërvitjet me klubin spanjoll e deri te çështje që lidhen me Kombëtaren.

Lojtari kuqezi zbulon se nga data 11 maj përflitet të rikthehen të stërviten në fushë në Spanjë, ndërsa tregon se këtë periudhë ka rikujtuar edhe njëherë ato emocione të paharrueshme në Euro 2016. Arritja e një kompeticioni të tillë dhe thyerja e rekordit të Bogdanit janë dy nga ëndrrat e mbetura në sirtarin e tij, të cilat beson se do i realizojë. Më tej rrëfen edhe se në Superiore mund ta sillte vetëm Elbasani, ekipi i qytetit të tij, duke i larguar të gjitha mundësitë e tjera dhe gjithashtu sqaron njëherë e mirë shprehjen e famshme që bëri bujë në kohën kur ishte te Legia e Varshavës, teksa e krahasohej me një ferrari që lihej në garazh.

Forma dhe rekordi

“Kur flas me shokët ose familjarët më thonë të gjithë po përse u ndërpre tani se ishe në një moment shumë të mirë, por shpresoj që kur të kthehemi përsëri të luajmë të vazhdoj në ato ritme që isha.  Edhe 5 gola për të thyer rekordin? Po është një rekord i tillë këtu, megjithëse unë nuk i shikoj shumë këto rekorde. Gjithmonë kur futem në ndeshje mundohem të bëj më të mirën time, të shënoj gol dhe të ndihmoj ekipin të fitojë ndeshjen. Pastaj kur jep më të mirën rezultatet dhe rekordet vijnë vetë“.

Stërvitjet

“Jemi në kontakt gjatë gjithë kohës me drejtuesit e klubit dhe po flitet që në datën 4 të fillojmë stërvitjen në grupe me 6 lojtarë në orare të ndryshme. Më pas në datën 11 maj mund të fillojmë stërvitjen normale. Unë e marr rrogën nga Levante, por ka 2 muaj që nuk paguhem. Kam komunikuar edhe me drejtuesit e tyre dhe thjesht po presin se sa do të kenë humbje nga të drejtat televizive etj. Në momentin kur do të fillojë stërvitja do të bëhen edhe ato llogaritë dhe të shohim se sa përqind të rrogës mund të kemi humbur“.

Europiani me Kombëtaren

“Këto ditë kam parë edhe ndeshjet e Europianit dhe vërtet janë emocione të paharrueshme ndonjëherë. Do i kem në shpatullat e mia përjetë ato emocione, por unë kam besim te vetja dhe jam shumë kërkues, prandaj shpresoj dhe e kam objektiv të arrij edhe njëherë në një Europian ose Botëror me Kombëtaren. Shpresoj që koha të jetë e afërt, pasi nëse vazhdon shumë karriera ime do të mbyllet dikur. Tashmë jam 27 vjeç, por shpresoj se do jetë e afërt se kemi një grup shumë të mirë“.

De Biasi apo Reja?

“Pyetje shumë e vështirë. Me De Biasin kam kaluar momentet më të mira të karriesës sime, siç është Europiani apo kur debutova që 20 vjeç me ekipin Kombëtar. Si ai edhe Tramezani, ishin dy figura të rëndësishme në karrierën time. Edhe Rejan e kam njohur shumë dhe është profesionist që ka një bagazh dhe një eksperiencë shumë të madhe në shpatullat e tij. Midis Panuçit dhe nesh diçka nuk shkoi dhe u thye e u largua shumë shpejt nga ekipi jonë”.

Superiorja

“Nëse do kthehesha të luaja në Shqipëri do e bëja vetëm për Elbasanin, skuadrën që kam lindur dhe jam rritur. Superioren e kam ndjekur pak dhe Tirana ka zhvilluar një sezon shumë të mirë këto javët e fundit . Besoj se nuk do të jetë e lehtë se do fillojnë të gjitha ekipet nga 0, të shohim kush do shpallet kampion”.

Krahasimi me Ferrarin te Legia

“Ai ishte një moment kur isha me të vërtetë shumë mirë, po aty diçka ndodhi mes meje dhe trajnerit që ishte te Legia në atë kohë dhe nuk aktivizohesha shumë. Kjo gjë më nervozoi shumë dhe doli ky lajmi më pas që lë ferrarin në stol, gjë që unë nuk e kam thënë kurrë. Por kjo u bë si shprehje dhe vazhdoi pastaj”.

Thyerja e rekordit të Bogdanit

“Unë mendoj që një futbollist nëse nuk ka një ëndërr ose një objektiv ai kurrë nuk ka për të arritur të bëhet dikushi dhe mua gjithmonë ëndrrat më janë bërë realitet. Edhe thyerja e rekordit të Bogdanit në kombëtare është një ëndërr për mua”, ka deklaruar Armando Sadiku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/