Në Shqipëri ia lënë lojtarëve në mirëbesim, Arteta hap gjurmuesin për të parë se çfarë po bëhet

Futbollistët vijojnë të jenë të izoluar duke ndjekur masat për të parandaluar përhapjen e Covid-19. Klubet i kanë pajisur lojtarët e tyre me programe stërvitore që duhet t’i zbatojnë nëpër shtëpitë e tyre, edhe pse duket e vështirë që të ruhet forma fizike pa u ushtruar në fushën e blertë. Nisur nga ky fakt kreu i pankinës së Arsenalit, Mikel Arteta, ka vendosur t’i gjurmojë futbollistët e tij edhe në shtëpitë e tyre.

Trajneri spanjoll ka vendosur gjurmues te lojtarët e tij për të parë nëse këta të fundit po zbatojnë planin stërvitor të ekipit. Arteta përdor GPS-in për të mbajtur nën vëzhgim “topçinjtë”, ndërsa të dhënat e marra analizohen imtësisht nga departamenti i fitnesit të skuadrës londineze. Ndërkohë klubet e Superiores kanë zjgedhur t’ua lënë në mirëbesim futbollistëve të tyre zbatimin e ushtrimeve stërvitore, por një fjalë e tillë duket se nuk ekziston te Arsenali, që kërkon me çdo kusht ta ketë grupin në formën sa më optimale të mundshme, madje edhe duke “i spiunuar” ata ./Halit Delibashi-Sport Ekspres/