Në restorantin e futbollit

0

Gjergji Stefa

“Alban, një tavolinë për katër…”. Pronari i restorantit, pasi mbyll telefonin, mundohet t’i japë “drejtim”. Nuk është kaq e thjeshtë. Njeriu që e telefonoi ishte presidenti i Partizanit, Gaz Demi, ndërkohë që përpara tij sapo u shfaq presidenti i Tiranës Refik Halili me bashkëpunëtorët e tij. “Perandor, kemi 1 mijë ditë pa fituar derbin, perandor. Çfarë po ndodh?!”. Halili këtu është një mik “shtëpie”. “Nuk na duan Alban, na sulmojnë të gjithë”, përgjigjet Halili, i cili sapo merr vesh që pas tij mund të vijë “rivali i kuq”, përgjigjet si gjithnjë me qetësinë e tij. “Nuk ka problem vëlla”. Albani është një tifoz historik i Tiranës, por njëherazi një mik i madh i futbollit shqiptar. Prej vitesh restoranti i tij është shndërruar në një fole të Superiores. President, trajnerë, ish-lojtarë apo futbollistë aktualë kalojnë drekat në shoqërinë e njëri-tjetrit. “Këto sy e këto veshë e dinë ç’kanë parë dhe ç’kanë dëgjuar”, të thotë Alban Berisha në konfidencë.

Restoranti gjendet 50 metra larg “shqiponjës”, një i tillë tradicional dhe në këtë lagje ku e kuqja mbyt dhe ajrin, punimet bardheblu në parvazin e jashtëm është e pamundur që të mos bien në sy. “Këtu më njohin të gjithë”, të thotë Berisha. “Sa herë Partizani fiton një ndeshje të rëndësishme, ata (nuk u përmend as emrin) vijnë përpara restorantit dhe fillojnë këndojnë. Është momenti i tyre. Kemi 12 ndeshje pa fituar derbin”. Në holl mund të jenë më shumë se 12 tavolina, të tëra të mbushura me personazhet e sportit, ndërsa mobilimi është i tëri bardheblu. Foto, fanella të së shkuarës, kupa dhe medalje.

Bëjmë një pakt. Sigurisht që është e pamundur që në një operë të caktuar të jenë të gjithë prezentë, por do realizojmë një drekë virtuale. Të gjithë në 100 metra katrorë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, vjen disi më rrallë se të tjerët. Ai është një mik i vjetër i Albanit. Ky e fundit e thërret “Don Korleone” me shaka, ndërsa presidenti i ka premtuar që Berisha do jetë shef delegacioni në udhëtimin që përfaqësuesja do bëjë në Itali. “Kam jetuar 3 vite në Palermo – të thotë Berisha – ata më treguan mua si të gatuaja, ne do t’u mësojmë si luhet futboll”.

Klienti më i rregullt është presidenti i Skënderbeut Ardian Takaj. Ai është një i përhershëm dhe madje shpesh niset nga rezidenca e tij “Tropikal” për të kaluar drekat në shoqërinë e miqve në këtë vend. Në përgjithësi është i shoqëruar nga zëvendëspresidenti i Skënderbeut, Arlind Boshku, ndërsa shpesh drekon dhe me miq, ish-trajnerë, ose ish-futbollistë. Trajnerin Daja nuk e sheh asnjëri, madje edhe kur drejtonte Tiranën nuk e preferonte si vend. “Do jetë mërzitur – thotë Albani – nga ndonjë status që kam vënë në ‘Facebook’ për të, por unë i kam miq të gjithë”. Një herë në muaj ai që Albani e quan Perandor, Refik Halili, drekon aty me stafin e ngushtë, trajnerin Josa dhe drejtuesit e klubit.

Një nga klientët që ka nisur të frekuentojë gjithnjë e më shumë këtë ambient është Safet Gjici. Ndonjëherë qëllon që rastësisht ai dhe Takaj janë në të njëjtën orë, madje në të njëjtën tryezë. Ka gjithmonë humor dhe batuta, është patjetër një duel shumë interesant. S’ka të bëjë fare me Halilin dhe Demin, sepse presidenti i Tiranës dhe Partizanit nuk para shkëmbejnë biseda me njëri-tjetrin. Ndërsa Skënderbeu me Kukësin duket sikur janë rivalë dhe në restorant.

Prej vitesh drejtuesit e Teutës, Genti, drejtori sportiv dhe trajneri Magani janë miq të rëndësishëm të këtij ambienti. Ata kalojnë orë të tëra aty, madje dhe ndeshjet dhe emisionet “Live” i shohin në këtë vend. “Supersport këtu është 24 orë hapur – të thotë Berisha -Shohin kanalin e lajmeve, shohin ‘Gol pas Goli’, shohin ndeshjet. Nuk është vetëm një restorant, është në fakt edhe kinemaja e futbollit. Ndonjëherë ka një qetësi të jashtëzakonshme”. Në këtë ambient janë ndërtuar skuadra, është bërë merkato, janë arritur akorde me trajnerë e lojtarë, janë tentuar në ndonjë rast koalicione dhe ndonjë kompromis i vogël. Këtu ndodhin nga të gjitha, megjithatë kur i shihni ashtu seriozë dhe ndonjëherë të egër në TV ose tribuna, ju siguroj se nuk janë ashtu”. Në të njëjtin ambient presidenti i Laçit, Pashka Laska, ndërtoi dy ekipet e tij, atë të verës që ishte për mbijetesë, dhe këtë të 2017-ës që, nëse kampionati do fillonte në janar, mund të ishte kandidat për në kupat e Europës. “Jo gjithçka këtu vërtitet rreth Tiranës, por patjetër që shakatë bëhen me ngjyrat bardheblu. Një ditë Perlat Musta hyri këtu me tutat e Partizanit dhe u çova direkt në këmbë: Me këto tuta nuk mund të hysh në restorantin tim. Të gjithë qeshën”.

Xhani de Biazi, trajneri i përfaqësueses është fans i ushqimit tradicional shqiptar. Sallatë, djathë, biftek, fruta, shumë klasik në llojin e tij. Marrëdhënia e De Biazit me këtë restorant është i veçantë. Sa herë ai mbërrin në Shqipëri, ndalesën e parë e ka “te Alban Berisha”. “Është fantastik – të thotë Albani – fantastik. Tamam gjeneral. Që kur hyn në sallon u imponohet të gjithëve”.

Në restorantin e futbollit sigurisht që fjala është lajtmotivi kryesor. Pas ushqimit, sigurisht pas ushqimit. Nëse qëndron aty 24 orë dhe je virtualisht në çdo tavolinë, mund të konstatosh që këta njerëzit e futbollit e dashurojnë këtë sport, punojnë nga mëngjesi në darkë që klubet apo skuadrat e tyre t’i bëjnë të rëndësishme, dhe realisht, marrëdhëniet e tyre të afërta nuk janë të këqija. Sigurisht që loja ka rregulla dhe rregulli kryesor i një tavoline është thashethemi. Nuk është çudi të dëgjosh gjithçka për këdo. Shumë gjëra duhet t’i marrësh me rezerva, sepse ndonjëherë akuzat janë të ekzagjeruara, ose le të themi bëhen në pasion e sipër. Situata të sikletshme? Sa të duash, por në shumicën e rasteve ky vend ka shërbyer për t’i bashkuar njerëzit e për t’i pajtuar, jo për t’i ndarë.

Preferencat për ushqimin janë një kuriozitet i madh. Presidenti i Skënderbeut zakonisht porosit fileto viçi, ndërsa ai i Kukësit fileto gici. Halili i Tiranës ka të preferuar sallatën dhe fasulet, ndërsa ai i Laçit në përgjithësi preferon peshk. Duka, De Biazi, apo Demi duan “all-in”, të gjitha nga pak, ndërkohë që në përgjithësi lojtarët apo ish-lojtarët janë më të kujdesshëm dhe finë në porositë e tyre.   

Në këtë ambient ku ndonjëherë konsumon kohë jo vetëm futbolli, por dhe politika (ministri i rendit, por dhe vetë kryeministri kalojnë drekat dhe darkat private në këtë vend) ëndrra e Alban Berishës është që një ditë të gjithë presidentët apo drejtuesit e lartë të futbollit të mos ulen nëpër tryeza veç e veç, por të bëhet një tavolinë e madhe, ku ata më së fundi të shohin njëri-tjetrin dhe t’i japin dorën, duke krijuar atë që kërkohet me insistim se kurrë: “Liga e Futbollit”. Duka ua ka thënë disa herë në të njëjtin holl. “Bëjeni, federata do ju japë 1 milionë euro që kjo gjë të bëhet”. Presidentët mund të porositin ç’të duan, mund të kenë preferencat e tyre në ushqim por në fund duhet të kenë një qëllim të përbashkët. Ta rritin edhe më shumë markën e këtij kampionati, ku realisht investohet dhe punohet shumë më shumë se sa në rajon.

Rreth orës 19.00 restoranti bie në qetësi. Alban Berisha ka kohë të pijë një gotë “Chivas” dhe sheh tavolinat tanimë bosh. Aty kanë drejtuar të gjithë, por të gjithë janë shërbyer me verë që kanë stemën e Tiranës, kafetë me logon bardheblu. “Kur do vijë dita që të fitojmë sërish”, mendon me vete dhe telefonon Halilin. “Perandor, nuk dua më titull, dua vetëm të mundim Partizanin”. Gaz Demi një orë më parë sigurisht me shaka i ka thënë: “Sa të jem unë, kjo nuk do ndodhë asnjëherë”. Janë të gjithë miqtë e futbollit.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image