Në pritje të yjeve, Reali prezanton talentin ukrainas

Reali i Madridit ka arkëtuar rreth 130 milionë euro këtë verë nga shitjet, kryesisht nga ajo e Ronaldos, por ende nuk ka afruar ndonjë superstar nga ata që tërbojnë tifozët, si Nejmar e Mbape, që duken të paprekshëm.

Megjithatë, Reali i ka shpenzuar që tani rreth 90 milionë euro dhe duket se strategjia e re e klubit nuk parashikon më shpenzime kolosale në treg, por zbulim talentesh.

Kështu, nuk ka arsye pse të nisë ankandi për Alison, që u bë portieri më i shtrenjtë në botë: Reali preferon të gjejë portierë të lirë, apo të rritë vetë ndonjë të ri. Për këtë arsye, sot presidenti Florentino Perez ka prezantuar ukrainasin Andrij Lunin. Vetëm 19 vjeç, talenti i Ukrainës U-21 pritet të bëjë portierin e tretë në Madrid, sepse Kejlor Navas është para tij dhe pritet të vijë edhe belgu Tibo Kurtua. Në ekip është edhe Kiko Kasija, por ai pritet të largohet, pasi duhet të luajë rregullisht.

Lunin vjen nga një sezon i shkëlqyer te Zorja dhe i ka bindur plotësisht vëzhguesit e Realit, ndaj klubi madrilen ka paguar 8.5 milionë euro për ta blerë.

Lunin foli me një spanjishte perfekte në konferencën për shtyp të prezantimit, një fjalim i shkurtër ku natyrisht shprehte lumturinë e tij për këtë hap në karrierë dhe premtonte maksimumin për të shpërblyer besimin e klubit.

Edhe Perez përsëriti diskutimin e bërë gjatë prezantimit të brazilianit Vinicius, para pak ditësh: “Pak nga pak po hedhim bazat e së ardhmes. Duam të afrojmë lojtarë të rinj, me të tashme dhe të ardhme në klubin tonë. Lunin kishte shumë oferta, por e kishte të qartë ku dëshironte të shkonte. Që tani e ka treguar se është një ndër portierët e së ardhmes, duke shkëlqyer me kombëtaren, si dhe në Europa League me klubin e vet”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *