Në prag të Teutës, Duro ende me mendjen te Tirana: Do realizonim 70% të objektivit, s’e përjetuam mirë humbjen

Kukësi do të udhëtojë ditën e nesërme drejt Durrësit për të luajtur javën e 24-t të Superiores kundër Teutës. Verilindorët do të kërkojn të kapin sërish kreun dhe për të arritur deri këtu shpresojnë për një “dhuratë” nga Partizani në derbin e sotëm kundër Tiranës.

Por vetëm një ditë larg ndeshjes së radhës, Shpëtim Duro ende nuk e ka harruar shijen e hidhur që i la humbja me bardheblutë. Në një prononcim për “RTSh Sport”, trajneri i kuksianëve pohon se klubi nuk ka kaluar një gjendje të mirë pas humbjes me Tiranën. Sipas tij një fitore me këta të fundit do të përmbushte rreth 70% të objektivit të Kukësit.

“Është e vërtetë që kemi kaluar një moment jo të mirë pas ndeshjes me Tiranën. Skuadra ishte në situatë pozitive dhe kishim 3 muaj pa humbje në vendin e parë. Skuadra nuk e ka përjetuar mirë humbjen duke parë ngjarjen e ndeshjes. Ishim në avantazh deri në minutat e fundit dhe u mundëm, duke humbur edhe vendin e parë. Jemi munduar gjatë javës të përqendrohemi te loja për ndeshjen e radhës.

Ju e patë që një fitore me Tiranën do të na bënte në 70% të realizimit të objektivit. Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Teuta është skuadër e kompletuar dhe është ndeshje e rëndësishme.”, ka deklaruar Shpëtim Duro./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *