Në lojë vendi i katërt, Flamurtari luan për Europën

0

Elton Nika

Ky kampionat mjaft i vështirë mund të rezultojë me një fund të lumtur për Flamurtarin, nëse fiton sot me Partizanin. Nga lufta e mbijetesës, falë rezultateve të javëve të fundit dhe kalendarit në vazhdim, vlonjatët mund ta shohin veten kandidatë për në Kupat e Europës. Pas Partizanit, ekipi i trajnerit Shpëtim Duro pret Laçin në Vlorë dhe e mbyll me Korabin, që do të thotë se janë të gjitha mundësitë për 9 pikë. Në kombinim me rezultatet e skuadrave të tjera që luftojnë për mbijetesë, që kanë ndeshje më të vështira në këto 3 javët të fundit, Flamurtari ka shanse të kapë vendin e karrt, që lakmohet edhe nga Luftëtari, që e mban aktualisht, Vllaznia dhe Teuta. Sigurisht, vlonjatët do t’ua bëjnë shërbimin si duhet këtyre 270 minutave, duke shpresuar se do të arrijnë 3 fitore dhe se Kupën e Shqipërisë do ta fitojë Skënderbeu.

Tri fitore, një barazim dhe një humbje përbëjnë bilancin e javëve të fundit për Flamurtarin, që ka pasur një rritje në lojë e rezultate. Sot luan një ndeshje vendimtare me Partizanin pretendent për titull jo vetëm për të fjetur mendjen me qëndrimin në elitë, por më shumë për vendin e katërt. Vlonjatët kanë shanse reale për këtë vend, sepse 2 nga 3 ndeshjet e fundit i luajnë në fushën e tyre, ndërsa javën e fundit kanë “në xhep” 3-pikëshin ndaj Korabit të rënë nga kategoria. Por gjithçka varet nga ndeshja e sotme me të kuqtë, ku një fitore e mundshme do të thotë se vendi i 4-t është e thuajse i Flamurtarit, pavarësisht se kombinacionet janë të shumta ngaqë në garë janë disa skuadra.

PARTIZANI – Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Duro mund të përfitojnë nga fakti që Partizanin vjen në Vlorë me një gjendje psikologjike të lëkundur, pas barazimit me Laçin. Të kuqtë kanë ende shanse për titullin, por që janë më të pakta në raport me pretendentët e tjerë. Flamurtari ndërkohë gëzon një formë të mirë dhe para tifozëve të vet mund t’i japë Partizanit goditjen përfundimtare dhe njëkohësisht të rritë ndjeshëm kuotat për vendin e katërt. Në 5 ndeshjet e fundit Flamurtari ka bërë një paraqitje shumë të mirë dhe gjendja aktuale sjell optimizëm për sfidën me të kuqtë, por edhe atë pasardhëse me Laçin.

FAKTORI-FUSHË – Dy ndeshjet e fundit në shtëpi, me Vllazninë dhe Tiranën, Flamurtari i ka fituar, ndërkohë që ka fituar edhe në Gjirokastër dhe ka barazuar në Durrës. Seria e rezultateve pozitive u prish në Kukës me atë humbje minimale, por që nuk i ka hequr shpresat e vendit të katërt. Te Flamurtari janë të bindur se gjithçka e kanë në dorën e tyre, sepse, krahasuar me rivalët, kanë një kalendar më të favorshëm. Drejtuesit dhe lojtarët nuk duan që realizimi i objektivit të lihet për dy javët e fundit, ndaj dhe sot ekipi do të japë gjithçka në fushë për fitoren e qëndrimit në elitë dhe për dritën jeshile drejt vendit të 4-t. Nuk do të jetë aspak e lehtë, sepse Partizani shpreson ende për titullin, por në Vlorë do të gjejë përballë një Flamurtar më të karikuar se kurrë për të marrë maksimumin. Me mbështetjen e tifozëve vlonjatë, pritet të kapërcehet pengesa e radhës, që është mjaft e vështirë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image