Në Lezhë një betejë, Besëlidhja-Kamza vlen Superioren

0

Bernard Gjikolaj

Takimi i sotëm në Lezhë me Kamzën është sfida e sezonit për Besëlidhjen, e cila kërkon të marrë kreun e klasifikimit, që është mbajtur që prej fillimit nga Kamza. Të gjithë te Besëlidhja besojnë në fitore, teksa këtë e konfirmon edhe trajneri Alban Bruka gjatë një bisede për “Sport Ekspres”. Tekniku lezhjan beson fort se Besëlidhja do t’ia dalë ndaj Kamzës dhe do të kapë kreun. “Luajmë me kryesuesen e grupit dhe është finalja e fazës së tretë, pasi këtu vendosen fatet e të dyja skuadrave. Gjatë ditëve që kemi pasur në dispozicion jemi munduar për të meremetuar ato të meta dhe dobësi që janë evidentuar gjatë rrugës. Besëlidhja në këtë takim vjen me moral të lartë pas barazimi që i morëm Tiranës, ndaj dhe jemi të qetë. Skuadrën e kam të plotë dhe futbollistët janë në gjendjen më të mirë nga të gjitha pikëpamjet. Na duhet vetëm një menaxhim sa më profesional i situatës në fushën e blertë. Në këtë sfidë kemi shumë anë pozitive, duke nisur që nga faktori fushë, e duke përfunduar në formën e shkëlqyer të futbollistëve, siç e theksova dhe më lart. Eksperienca e deritanishme ka treguar se Besëlidhja është e zonja që t’i përballojë skuadrat e mira, pasi kemi formatuar një skuadër me mentalitet kampioni. Këtë e kanë konfirmuar edhe përballjet në Kupën e Shqipërisë. Duke ju referuar të gjitha këtyre që thashë, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të japim maksimumin të gjithë, futbollistët në fushë dhe ne si staf teknik”., përfundoi deklaratën e tij tekniku Bruka.
Besëlidhja: Demi, Ndreca, Dibra, Smajli, Lekaj, Sidibe, Hepaj, O. Kamara, Marashi, Ajazi, S. Kamara. Trajner: A. Bruka.

Ndreu e ka të qartë: Duhet bërë maksimumi
Kamza është gati për t’u përballur me Besëlidhjen, ndeshje kjo shumë e rëndësishme, e cila do të ketë ndikim në vazhdimësinë e garës dhe skuadrën që do të ngjitet në Kategorinë Superiore. Para kësaj sfidë, është trajneri Ramadan Ndreu, ai që ka folur “Sport Ekspres”, duke vlerësuar kundërshtarin për atë që ka bërë deri më tani, por për skuadrën e tij është e qartë që duhet të japë maksimumin. “Kemi punuar tepër të përqendruar gjatë kësaj periudhe për këtë ndeshje, e cila është si një finale. Mendoj se skuadra është gati për ta përballuar këtë ndeshje dhe për të ruajtur kreun e klasifikimit, që është edhe qëllimi ynë deri në fund të sezonit. Nuk do mend që kjo ndeshje do të jetë e vështirë për të dyja ekipet. Luajmë në transfertë dhe publiku do të jetë në favor të lezhjanëve, që kanë bërë një kampionat rivalizues sivjet. Ne i kemi vlerësuar maksimalisht ata dhe jemi përgatitur të japim më të mirën tonë. Kjo është ajo që duhet të bëjmë dhe më pas t’ia lëmë fushës së blertë rezultatin”, është shprehur shkurtimisht trajneri Ndreu.
PLANI – Skema e Kamzës mbetet e njëjtë sikurse kur në krye të ekipit ishte Bledar Devolli, një 4-4-3 i pastër. Porta sërish i besohet Gjonikajt, ndërsa nga krahët e mbrojtjes trajneri Ndreu ka përzgjedhur Frashërin dhe Baçin. Në qendër luajnë dyshja Basriu-Lelis, për të kaluar më pas në mesfushë, aty ku mungon kapiteni Jetmir Sefa për shkak dëmtimi. Veç Deliallisit dhe Ferrajt, në qendër luan edhe Mehmeti, ndërsa në majë të sulmit luan Morina dhe dyshja Hysa-Malindi nga krahët, njohje të vjetra këta për trajnerin Ndreu, pasi ka punuar me ta te Kastrioti, por edhe te Laçi me Malindin.

Kamza: Gjonikaj, Frashëri, Lelis, Basriu, Boci, Deliallisi, Mehmeti, Ferraj, Malindi, Hysa, Morina. Trajner: R. Ndreu

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here