Në kujtim të legjendës Arben Minga/ Një dekadë pa “Benin e modh”

1

Maxhik Xhonson, Karlo Ançeloti dhe Fidel Kastro… Të gjithë në shenjën e vitit 1959. E ndërsa për ish-basketbollistin e famshëm dhe njërin mes trajnerëve më të suksesshëm të futbollit, ky vit do të ishte ai i lindjes, për revolucionarin kubanez, regjistronte ngjitjen në pushtet dhe politikë duke u bërë kryeministri i parë i Kubës. Ngjarje që rrodhën dhe që lamë pas. Edhe pse, makina e kohës shënon edhe një tjetër lindje. Pikërisht në atë vit, më 16 mars 1959, do të vinte në jetë Arben Minga, “Beni i modh”… ose “Pesëmbëdhjetkatëshi Minga”. Jo një emër dosido, për tifozët e skuadrës me më shumë trofe në histori, që në ato vite mbante emrin 17 Nëntori, ndërsa sot Tirana.

Por, një tjetër datë do të shënonte jetën e Mingës. Dhjetë vjet më parë, më 31 janar 2007, në një qytezë të vogël të Kanadasë, Uindsor, ku komuniteti shqiptar dhe kryesisht tiranas ka vënë rrënjë, do të mbyllte sytë përgjithmonë ish-mbrojtësi. “Për asnjë moment nuk u frikësua nga fakti që do të vdiste, por na dha forcë të gjithëve”, do të rrëfente bashkëshortja Nora Goxha, që iu ndodh pranë momentet e fundit të jetës.

Dhe lajmi i kobshëm kaloi oqeanin më shpejt se sa një avion presidencial, duke mbërritur në Shqipëri, aty ku pikëllimi kaploi të gjithë. Minga nuk ishte vetëm një futbollist i njohur, profesionist i vërtetë dhe i përulur, por edhe një ikonë për popullin bardheblu. Ai që kishte ditur t’i thoshte “jo”ofertave të Partizanit (Ministrisë së Brendshme) dhe të Dinamos (Ministrisë së Mbrojtjes). Dhe, të refuzoje në atë kohë sistemin ishte baraspeshë sikur të refuzoje sot Barcelonën apo Real Madridin.

Dhe, si për ironi të fatit, ose ndoshta për të treguar se sa shumë e dashuroi dhe nderoi fanellën bardheblu, golin e fundit të karrierës e realizoi në derbin e sezonit 1995-96, Partizani-Tirana 0-2. Ishte rrjeta dhe përshëndetja e tij fundit, përpara se të varte këpucët në gozhdë dhe, një vit më pas, i gjendur pa punë dhe në vështirësi ekonomike, vendosi të emigronte në Kanada bashkë me gruan dhe fëmijët.

Karriera – Por, cili ishte Arben Minga ose “Beni i modh”? Për shokët, një njeri i pazëvendësueshëm, ndërsa për futbollistët, një kundërshtar i respektuar dhe vlerësuar. Nga rrugët e lagjes në shkollë me bashkëmoshatarët, për t’u dalluar dhe nisur karrierë te 17 Nëntori që në moshën 15-vjeç.

Debutimi mes të mëdhenjve, një ëndërr e fëmijërisë së tij, erdhi më 20 nëntor 1977, në sfidën 17 Nëntori-Shkëndija, ndërsa festimi i parë më 2 prill 1977, në fitoren e 17 Nëntorit 3-1 ndaj Luftëtarit. Pjesë e brezit të lavdishëm bardheblu (B.Sharra, H.Mersini, M.Baci, A. Naci, A. Bimo, B. Vladi, S. Hodja, K. Alimehmeti, A. Lekbello, S. Mema, B. Omuri, M. Josa, A. Stoja, Sh. Muca, A. Kola, F. Riza etj), ai u bë simboli i mosdorëzimit, sakrificës dhe përkushtimit, për të ndihmuar në futbollin total të asaj Tirane.

Për disa vite, madje, pati nderin të mbante në krah shiritin e kapitenit. Në fund, do të ishin plot 12 trofe me bardheblutë, mes kampionatit, Kupës dhe Superkupës, ndërsa do të shpallej edhe golashënuesi më i mirë në sezonin 1984-85 (13 gola).

Jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj, ish-sulmuesi do të bënte paraqitje të shkëlqyera ndaj ekipeve si Dinamo Bukuresht, apo Bajern Mynih dhe Malmoe. Tre pjesëmarrje në Kupat e Kampionëve dhe një herë në Kupën e Kupave.

Kontributi i Mingës ishte edhe te kombëtarja, nisur nga ajo “Shpresa”, ku i dha vendit dy trofe ballkanike. Shqiperia u shpall kampione për vitet 1978 dhe 1981. Nga U-21 te kombëtarja e madhe, aty ku shtatlartësia e “Benit të modh” do të bënte shpesh diferencë, nisur edhe nga fakti se brezi i artë i viteve ’80 te Tirana përbënin edhe ekipin përfaqësues më së shumti. Një nga golat historikë, ndaj Belgjikës, më 1983, në fitoren 2-0 në “Qemal Stafa”. Nga sulmi në mbrojtje, aty ku e mbylli karrierën. Beni u tërhoq, por vetëm sepse fuqitë nisën t’i bien dhe sepse lidershipi i tij nevojitej në prapavijë.

Rezultati ishte mjaft i suksesshëm, pasi ajo Tiranë jo vetëm se u shpall kampione, por edhe 12 pikë larg vendit të dytë.

 

Tirana ishte më e madhe se tre dhoma e një kuzhinë!

Në kohën e tij të artë, Ben Minga mori edhe shumë oferta nga skuadrat rivale të 17 Nëntorit. Partizani bëri çmos që ta bindte, por sipas rrëfimit të bashkëshortes së tij, do të ishte kunati ai që do ta bindte të mos largohej nga Tirana. Pas Partizanit, oferta tjetër ishte ajo e Dinamos, ku miq e shok futbollistë e thërrisnin që të transferohej, madje, thuhet që blutë kanë arritur t’i ofrojnë edhe një shtëpi me tre dhoma e një kuzhinë. “Falënderoj për vlerësimin, por s’mund të lë 17 Nëntorin”.

Thanë për të…

Sulejman Mema

“Ben Minga ka qenë dhe besoj do të mbetet sulmuesi më i madh që kam pasur fatin të njoh gjatë jetës sime. Ishte vërtet një futbollist i madh. Në rast se do ta përmblidhja me një fjalë, çka është e pamundur, mund të them se ishte i paarritshëm”

Sulejman Demollari

“Më pëlqen ta mbaj mend si një njeri gjithmonë të qeshur, që pëlqente të thumbonte me dashamirësi vazhdimisht kolegët. Me Benin ka luajtur për 15 vjet në kombëtare, por edhe në Rumani, kështu që kam pasur fatin ta njoh shumë mirë edhe si njeri”

Mirel Josa

“Ishte një mik, një koleg dhe një shok i rrallë për mua. Fati e do që lamtumira e fundit t’i jepej në një vend të huaj dhe jo mes miqve”

Sulejman Starova

“E kujtoj si një djalë të pashëm dhe të shoqërueshëm. Unë kam pasur fatin ta njoh më shumë edhe jashtë fushës së futbollit ashtu siç ishte në të vërtetë Beni”

SHPËRNDAJE

1 KOMENT

  1. BENI I MADH …. VITE QE S HARROHEN MINGA AGUSTINI JOSA OMURI MEMA BACI NACI MUCA …. NESTI STOJA … I BENIN TIRONSIT TE HARRONIN REGJIMIT E DIKTATORIT … DHE TE HUMBISNIN MENDJEN ME FUTBOLLIN …E VETMJA GJE PER TU ZBAVITUR .ARGETUAR ..MERCI PER KETO VITE .. PER KETO KUJTIME …

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here