Në kërkim të qetësisë, qyteti i famshëm i hap dyert Shumaher dhe familjes

Prej vitesh po lufton t’i rikthehet jetës normale, madje të rifitojë edhe reflekset më të thjeshta siç janë komunikimi apo e ecura. Pas aksidentit të tmerrshëm të 29 dhjetorit 2013, Mikael Shumaher dhe familja e tij vazhdojnë betejën jo vetëm për përmirësimin e shëndetit, por edhe për të qëndruar larg vëmendjes së mediave dhe opinionit.

Për këtë arsye, ish-kampioni i Formula 1 do të transferohet së bashku me familjen në Majorka të Spanjës. Më saktësisht në Andratks, rreth 20 minuta larg Palma de Majorkas, aty ku bashkëshortja e gjerjmanit, Korin, bleu një vilë luksoze për plot 30 milionë euro.

Konfirmimi erdhi nga kryebashkiaku i qytetit, i cili deklaroi publikisht se “Mikael Shumaher do të akomodohet në qytezën piktoreske, që nga ana e saj është gati ta mirëpresë kampionin e madh të sportit”.

Sapo u njoftua për mbërritjen e banorit më të ri, policia e qytetit ndërmori një plan masash për të garantuar privatësinë e familjes Shumaher. Gjendja shëndetësore e legjendës së Formula 1 mbetet ende mister, edhe pesë vjet pas aksidentit, me familjen e ish-pilotit që ka provuar me çdo mënyrë të mbajë të fshehtë gjithçka që ndodh rreth Mikael Shumaher.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *