Në Itali të gjithë çuditen me historinë e Acerbit: Faleminderit kancerit që erdhi te unë, më bëri njeri dhe futbollist

Acerbi, ky është njeriu i momentit në Serie A. Mbrojtësi që ka qenë prej vitesh në elitën e futbollit italian, papritur është kthyer në futbollistin më të mirë në rolin e tij. Për më tepër me Lacion, që ëndërron të fitojë Serinë A dhe është në garë me Juventusin dhe Interin.

Kjo ka kthyer interesin e mediave te Acerbi, që më parë shihej si një lojtar që nuk mund të arrinte kurrë në nivele të larta, por që rezultoi krejtësisht e kundërta. Në një rrëfim të gjatë, futbollisti italian tregon sesi pija e kishte shkatërruar më herët, ndërsa falë kancerit arriti të përmirësohej si njeri dhe të mos linte futbollin.

“Fillimisht unë luaja për babanë tim. Ai kujdesej shumë, mbase edhe shumë seç duhej. Padyshim më shumë se unë. Ndoshta ndonjëherë ai përqëndrohej aq shumë tek unë, saqë nëse donte të më bënte mirë, ai duhej të më lëndonte. Për të më humbur pasionin. Fakti është se sapo ai ndërroi jetë, nuk kisha arsye për të luajtur. Padyshim nuk e bëja dot për veten. Unë nuk jam profesional. Nuk kisha respekt për veten, nuk kisha respekt për punën time, nuk kisha respekt për ata që më paguanin. Shkoja edhe i pirë nga mbrëmja në stërvitje. Atëherë e ekzagjeroja shumë me pijen, megjithëse fizikisht kam qenë gjithmonë i fortë.

Derisa erdhi kanceri, që ishte fati im. Falenderoj Zotin që ma solli. Zbulova që isha sëmuar në korrik 2013 kur arrita në Sasuolo. Një vit pas sëmundjes më ndodhi diçka. Shkova për të fjetur në darkë dhe kur u zgjova isha nën terror. Kisha frikë edhe nga hija ime. Mendoja për gabimet e bëra, mundësitë e hedhur tutje, vitet e humbura, mbrëmjet kur e teproja. Më duhej një psikolog që të kapërceja frikën dhe kështu nisa të përmirësohem si njeri. Pa sëmundjen do të kisha përfunduar të bëja karrierë në Serie B, ose do isha larguar fare nga futbolli. Por fatmirësisht dikush atje lart më donte dhe më dërgoi sëmundjen. Pa të do kisha përfunduar keq”, ka thënë Acerbi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *