Në Gjirokastër nuk i ndahen Zirit, kërkesë zyrtare për përjashtim

Klubi gjirokastrit i drejtohet zyrtarisht institucionit që drejton futbollin për të marrë masa, pasi në të kundërt nuk do ta vazhdojë garën

Luftëtari i është drejtuar dje Federatës Shqiptare të Futbollit me një relacion të nënshkruar nga presidenti Grigor Grigor Tavo. Objekti i relacionit sigurisht që është gjykimi, sipas gjirokastritëve, skandaloz i treshes që gjykoi ndeshjen me Teutën, në veçanti i dy fushë-krujasve Blerim Ziri dhe Endrit Veseli. Në këtë relacion, përveç të tjerave, theksohet se rezultati i ndeshjes në fjalë ka qenë i paravendosur në favor të Teutës. Përmenden rastet e shumta, ku kryesor Ziri ka favorizuar hapur Teutën.

“Dy gola të durrsakëve u shënuan me ndihmesën e gjyqtarit, si në rastin e faullit të paqenë, ashtu dhe të penalltisë inekzistente. Nuk është hera e parë që Luftëtari penalizohet nga gjyqtarët dhe pa përmendur rastet e një sezoni më parë, vetëm në këtë kampionat janë katër humbje, që i kanë ardhur nga gjyqtarët. Në dy raste me Teutën, me Kukësin dhe me Vllazninë po nga ky gjyqtar. Të gjendur në këtë situatë, kërkojmë marrjen e masave të ndërsjella. Shpresojmë në ndërhyrjen tuaj, që sportit më të bukur dhe të vetmit që ka mbetur në Gjirokastër, të mos i mungojë skuadra jonë. Nëse situata nuk ndryshon, do të shohim pozicionin tonë në vijimin ose jo të kampionatit”, – shkruhet në relacionin drejtuar organit më të lartë të futbollit në vend.

MALILE – Po dje në mesditë, në një konferencë për mediet, zëdhënësi për shtyp i Luftëtarit, Rigels Malile, ka deklaruar: ”Jemi të ndërgjegjshëm dhe të njohur me ngjarjet gjatë dhe në përfundim të ndeshjes Luftëtari-Teuta. Luftëtari është dënuar jo pa qëllim nga Blerim Ziri. Ekipi po penalizohet padrejtësisht dhe ky nuk është rast i vetëm. I jemi drejtuar me një relacion FSHF-së dhe në përgjigje të saj do të shohim hapat e mëtejshëm. Nuk kemi asnjë pretendim, kur jemi mundur me lojë dhe nuk është se na mundi Skënderbeu dhe kjo të përbënte dramë. Dramatike është humbja me Teutën, që ka fituar ndaj nesh dy herë me arbitra. Hamitaj na nxjerr jashtë një futbollist në mesin e pjesë së parë, kur faulli ishte në favorin tonë (si edhe Ziri ndaj Ramadanit), Koçi akordon gol në një lojë të ndaluar, por ky i Zirit dhe bashkëpunëtorëve të tij ishte edhe më skandaloz. Konstatohet se ndaj këtyre  arbitrave që na kanë penalizuar fare hapur, jo vetëm nuk është marrë asnjë masë, por kanë vazhduar të gjykojnë pa asnjë problem. Ziri vjen për herë të dytë në Gjirokastër, duke mos dhënë dy penallti në favorin tonë në takimin me Vllazninë, ndërsa ndaj Teutës doli fare hapur. Teuta gjuajti vetëm një herë në portë dhe shënoi tre gola, ndërkohë që na u mohuan shumë faulle dhe nuk na lejuan të sulmonim përmes pozicioneve jashtë loje. Ziri kishte ardhur në Gjirokastër me paramendim për të përjashtuar disa titullarë në takimin e radhës me Laçin. Si të ketë vepruar për paaftësi, edhe me porosi, ai nuk duhet të dalë më në fushë si gjyqtar. Presim përgjigjen nga relacioni i dërguar për të hedhur hapat më tutje. Nuk e ka thënë dhe nuk ka për ta thënë z.Grigor Tavo se do ta lërë ekipin, por ka menduar tërheqjen, nëse situata nuk ndryshon dhe gjyqtarë të tipit Ziri do të vazhdojnë të prishin futbollin”.

Gëzim Beqiri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *