Në drekë me kinezët…

0

Orari i pazakontë, “lufta” për pjesmarrjen në Europë, kriza e një qyteti të famshëm dhe përballja e dy pronësive që vijnë nga Lindja e largët. Derbi i Madoninës, sa shumë ndryshe

Eshtë gjithçka e re, e pazakontë, ndoshta edhe pak kurioze dhe mistike, sepse nëse flitet për Dragoin, simbolin e Kinës, sigurisht që flasim për një krijesë mitologjike… Por, sikur të mos mjaftonte etiketimi “derbi kinez”, edhe orari ka vendosur që të futet në mes, për ta bërë panoramën akoma edhe më shumë tërheqëse. Do të luhet në orarin e drekës, pra 12:30, që për Interin këtë sezon ka qenë me fat, pasi ka sjellë tre fitore në tre ndeshje. Tifozeria do të mbushë “San Siro”-n, ndërsa s’do të mungojnë edhe ata jashtë stadium, qindra miliona.

Nga orari i pazakontë te përballja mes dy pronësive të reja, atyre aziatike. Në dhjetor u hipotizua se do të ishte derbi i vërtetë kinez i Madoninës, por shtyrja e “closing” bëri që homazhi i tifozerisë së zjarrtë kuqezi, “Curva Sud”, pro Berluskonit, të shkonte dëm…

E ndërsa lojtarëve kjo gjë do t’i bëjë shumë pak efekt, tifozët sigurisht që do të ndihen disi ndryshe. Sepse, dikur, kjo përballje, ishte pronësi e familjes Morati dhe ajo Berluskoni, ndërsa sot po flasim për Suning dhe Li Jonghong. Qyteti i Madoninës së famshme, Milano, s’do të përfaqësohet nga dy familje milaneze. Një kalim epokal, por i detyrueshëm, për shkak të nevojës për t’u rikthyer në nivelet që dikur ishin “habitati natyral”.

Lindja e largët ka marrë në zotërim gjithçka, duke e nisur nga tregu botëror dhe ekonomia, për të vazhduar nga eksportimi i kapitaleve, reinvestimi dhe sidomos përfitimet nëpërmjet kuotimit në bursë e kështu me radhë. E vetmja mënyrë për t’u ringjitur është të ndjekësh këtë rrugë.

Interi dhe Milani kanë shumë nevojë.

Dhe, nëse dikush nuk e beson, mjafton të hedhë një sy nga renditja e Serisë A. Luan vendi i shtatë me vendin e gjashtë, edhe më poshtë se Lacio dhe Atalanta… Në lojë, Europa League, si e vetmja mundësi për të qenë në Europë sezonin tjetër. Interi dhe Milani, por edhe tifozët e këtyre skuadrave, prej vitesh, “durojnë” hegjemoninë e Juventusit, por edhe superioritetin e Napoli dhe Romës, duke mos bërë më pjesë në podiumin e të mëdhenjve. Dhe, flasim për Milanon, që ka rekordin botëror të ketë fituar Champions me dy skuadrat e vetme të këtij qyteti.

E ndërsa Interi ka pak kohë që ka nisur rrugën e rinovimit, me indonezianin Thohir që bleu kuotat e mazhorancës së Moratit, duke ia shitur më pas Suning, Milani është në vitin zero.

Por, ndërsa Interi është përpara në programin, në fushë është më mbrapa. E çuditshme por e vërtetë. Si individualitete, zikaltërit janë shumë më lart, por në kolektiv dhe skuadër, kuqezinjtë këtë sezon kanë befasuar të gjithë.  Dhe, në 31 javë të luajtura deri tani, zikaltërit kanë qëndruar më shumë mbrapa se sa përpara kuqezinjve. Sigurisht, ndikoi ecuria e De Burit, pasi me Piolin u rikthye vazhdimësia e rezultateve, përpos ndalesave të fundit.

Si mbërrijnë – Interi dashuron që të luajë futboll ofensiv, me shprehi teknike, duke qenë skuadra e cila ka goditur më shumë portën në Serinë A, edhe pse sulmi zikaltër është i katërti në renditjen totale. Problemet e ekuilibrit janë “thembra e Akilit”.

Milani është më shumë milingonë, nuk të bie në sy, por Montela ka ditur që të udhëheqë me zotësi, e ka vendosur në fushë me objektivin për të mbrojtur rezultatin dhe godasë në kundërsulm ose në momentin e duhur. Jo më kot, falë edhe mrekullive të Donarumës, është mbrojtja e tretë më e mirë e kampionatit, por vetëm sulmi i tetë, pasi Baka ka munguar gjatë, ndërsa Bonaventura u dëmtua në janar. Vetëm Suso dhe, së fundmi, Deulofeu, nuk mjaftojnë.

Në diellin e mesditës, në një “San Siro” të mbushur dhe me fitime rekord, thuajse 4 mln euro (do të jetë rekordi i Serisë A), ndeshja nuk duhet të jetë shumë ndryshe nga ajo e fazës së parë (2-2), me Milanin dy herë në avantazh dhe Interi dy herë barazim, deri te Perisiç, që i vuri kapakun.

Pritet një Inter që do të sulmojë dhe kërkojë 3 pikët, ndërsa Milani do të përpiqet të shfrytëzojë hapësirat me treshen Suso-Baka-Deulofeu.

Kthesa e fundit – Por, ai që ka më shumë për të humbur është Interi, që vjen nga dy humbje radhazi dhe është në krizë. Një sukses e nxjerr lart, një humbje e zhyt, teksa pankina e Piolit, që po lëkundet, do ë “thyhej”… Milani mbërrin më i qetë dhe me një Montela të cilit i janë fuqizuar më shumë pozitat, pas ndërrimit të pronësisë, duke qenë se pronarët e rinj e shohin edhe për të ardhmen.

Luhatjet – Vitin e shkuar, Interi mbërriti në vend të katërt, Milani i shtati; sezonin përpara këtij, më i keqi në 50 vitet e fundit, me Interin në vend të tetë dhe Milanin të dhjetin, ndërsa në sezonin 2013-2014, Interi i pesti dhe Milani i teti. Sakaq, titulli i fundit i qytetit i takon Milanit (2011). Plot gjashtë vjet mungesë. Pikërisht ky është motive se pse i besohet Azisë. Kina nuk është edhe aq larg, është këtu afër, gati për të ndihmuar Milanon të kthehet i madh.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image