Në dorën e menaxherëve…

0

Opinon nga Saimir Demi

Për shkak të historive të shumta të abuzimeve, shqiptarët vazhdojnë t’i konsiderojnë menaxherët e futbollit si piranja, të cilët vetëm përfitojnë nga këmbët e futbollistëve. Por në të kundërt, bëhet fjalë për një hallkë shumë të rëndësishme, për një personazh që ka në dorë karrierën e lojtarit. Janë ata që duhet të gjejnë klubet e përshtatshme, për t’i dhënë një shtysë karrierës së klientëve të tyre, ashtu siç mund të sjellin edhe dëme që lënë pasoja. Shembulli më sinjifikativ i rastit të keq është Ermir Lenjani, një futbollist i talentuar, në moshën më të mirë për të arritur kulmin, por që ka stopuar dhe absolutisht jo për fajin e tij. Dy vjet më parë ka firmosur për Renën në kampionatin francez, por huazimi tek Nanta ishte një vendim shkatërrimtar, që absolutisht nuk duhej pranuar. Nanta është klubi armik dhe një gjë në dukje kaq e vogël mund të ndikojë shumë.

Saimir Demi, opinionist i “Sport Ekspres”, ish gazetar i mirenjohur

Pas 20 ndeshjeve të luajtura me skuadrën e ‘kanarinave’, kthimi tek Rena nuk ishte më mbërritje në shtëpi, por në ferr. Të gjithë mbajnë mend se si tifozët i dëmtuan fillimisht makinën, si shenjë që nuk ishte më i mirëpritur, si dhe më pas thuhet se ushtruan trysni edhe në klub për të mos e aktivizuar. Sipas lajmeve të merkatos, që në këto periudha nuk duhet të merren gjithmonë të mirëqena, janë disa klube që kanë interes për shërbimet e futbollistit tonë, duke përfshirë edhe Nantën (skuadra që në ambientin e fqinjëve që disponojnë kartonin, nuk i duhet përmendur as emri), por ende asnjë lëvizje konkrete. Ndërkohë, Lenjani po vuan mungesën e fushës, injorimin që nuk është më as pjesë e bankinës, përçmimin për të qenë elitar të paktën në tribuna, si dhe ka humbur vendin e titullarit në ekipin Kombëtar. Dhe është vetëm 27 vjeç. Nëse trajneri De Biazi nuk thërret më në Kombëtare as Sokol Cikalleshin, kjo vjen si pasojë e minutave të pakta që ka pasur në dispozicion me skuadrën e tij në kampionatin turk. Pra, situata e tij të bën të kuptosh që menaxheri duhet të lëvizë, për të gjetur një skuadër të përshtatshme për sulmuesin tonë, pasi Istanbul Bashakshehir tashmë kryeson në Turqi dhe konkurrenca në atë skuadër duket se është bërë e papërballueshme për Cikalleshin. Veçse, nëse futbollisti është i kënaqur me aktivizimin në pak ndeshje në kupë dhe po pret shansin të fitojë një titull të madh nga stoli, në një kampionat të rëndësishëm. Por edhe ai është vetëm 26 vjeç dhe mbi të gjitha mjaft i talentuar për t’u mjaftuar vetëm me kaq.

Pse kohët e fundit kemi parë një ndryshim rrënjësor në lojën dhe personalitetin në fushë të Bekim Balajt dhe Odise Roshit? Përgjigja është e thjeshtë: pas disa aventurave në Europë, në momentin më të përshtatshëm u transferuan në një kampionat shumë cilësor, siç është ai rus dhe brenda pak muajsh demonstruan një ndryshim të ndjeshëm. Por ishte një njeri i zgjuar që realizoi goditjen finale dhe duhet të jesh fare naiv, nëse mendon se gjithçka është e rastësishme, thjeshtë doli për mbarë.

Në fakt u shfrytëzua momenti i merkatos, pra kualifikimi i Kombëtares në finalet e Euro 2016, si dhe dukej qartë që ishin marrë parasysh karakteristikat e Terek Groznit dhe organika, që në përqindje të madhe, futbollistët tanë të ishin të suksesshëm. Së fundmi, është pothuajse e sigurtë që nuk do të ketë problem as për Bernard Berishën, pasi jo vetëm se transferohet nga një tjetër skuadër e këtij kampionati, Anzhi, por në Çeçeni do të shtojë numrin e një komuniteti futbollistik shqiptar, pra nuk do ta ketë problem përshtatjen. Besoj se kaq nevojitet në këtë nivel cilësor, për të qenë i suksesshëm në punën tënde dhe për të ndihmuar karrierën e futbollistëve që menaxhon. Se ndodh që dikush kërkon t’i marrë Juventusit 40 milionë euro për një portier 17-vjeçar dhe për të plotësuar operacionin i bën presion as më pak e as

më shumë, por Milanit, se mund ta humbasë Donarumën vetëm një vit më pas me parametra zero. Por ky është Mino Raiola dhe ne nuk kemi pse të gjejmë krahasime aq lart.

Lajmi sportiv që shoqëroi ditët e para të këtij viti ishte shkarkimi i Agostinelit nga stoli i Skënderbeut, si dhe u bënë komente, ku sillej në vëmendje se të gjithë trajnerët italianë që nisën edicionin në Shqipëri dështuan. Por tani ka mjete informimi që mund t’i përdorin të gjithë dhe askush nuk ka pse të manipulohet më me CV të rreme. Agostineli dihet se kulmin e karrierës në vendin e tij e kishte si trajner i Napolit për pesë muaj, por në vitin 2003, kur ish-skuadra e Maradonës ishte në Serinë B.

Pse nuk shënonte më Salihi, apo Lilaj dhe Latifi nuk ishin aq të rrezikshëm në fazën sulmuese? Sepse edhe si futbollist, Agostineli luajti 446 si profesionist dhe në 17 vite mesfushor shënoi vetëm 18 gola. Po Sormani, Bexhi, Çevoli, pse i morën pa bërë pothuajse asgjë më parë, apo për hir të përfundimit të përbashkët, se të gjithë italianët janë trajnerët më të mirë në botë? Mbase ndikon edhe kjo, sepse na ka mbetur si ide fikse, por një gjë është e sigurt: Ata që i sollën janë mjeshtër të fjalës…

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here