Ndryshimi në portë te Tomori, zhgënjim te tifozët

Edi Spahiu

Në Berat tifozët janë kundër përzgjedhjes së klubit për sa i përket portierit të ri të Tomorit. Tifozët beratas, ata që e ndjekin edhe në stërvitje rregullisht, kanë kontestuar së fundi portierin e ri Kadri Birja, i cili është edhe i përzgjedhuri i klubit dhe stafit teknik, duke marrë në mbrojtje të hapur ish-portierin e sezonit të kaluar lushnjarin Mikel Kaloshi

Mbështetësit e zjarrtë të skuadrës së Tomorit nuk e kanë aprovuar aspak përzgjedhjen e re që ka bërë klubi, dhe e gjitha kjo jo vetëm për shkak të një nostalgjie të thjeshtë, pasi sportdashësit beratas kanë shpjeguar se se pas performancave të shkëlqyera sezonin e kaluar me Tomorin ishin dhënë shenjat e një rinovimi të mundshëm të kontratës nga ana e klubit me portierin lushnjar.

Të gjithë prisnin që klubi të formalizonte këtë rinovim kontrate, edhe për shkak se si futbollistët vendas, ashtu edhe sportdashësit beratas, realisht e respektonin portierin Kaloshi, që ishte bërë si i shtëpisë në qytetin e Beratit, me një kontribut gati tre-vjeçar me skuadrën beratase.

Nga ana e klubit afrimi i portierit të ri Kadri Birja është bërë pothuajse një vendim i formës së prerë, dhe kjo është vërtetuar edhe me praninë e vetë portierit në qytetin e Beratit gjatë ditës së enjte pasdite. Një prej sportdashësve të njohur të Tomorit është shprehur: “Jemi shumë të zhgënjyer që klubi nuk ka rinovuar me portierin Mikel Kaloshi, dhe e gjitha kjo sepse tek Tomori paskan gjetur si zëvendësues të tij një portier si Birja i cili realisht nuk është në nivelin e Kaloshit dhe këtë do ta tregoj koha në kampionatin e ri. Ne si tifozë nuk e aprovojmë aspak këtë ndryshim te Tomori, që mund të themi pa hezitim se po gabon qysh në merkato dhe pasojat do të reflektohen gjatë kampionatit”.

Sakaq, në mbështetje të ish-portierit Kaloshi kanë dalë edhe shumë futbollist të tjerë beratas dhe jo të tillë, ku ai që të bën më shumë përshtypje është ish-organizatori i njohur lushnjar i Lushnjës dhe Tomorit Fatjon Topi, i cili thekson se në Berat do të pendohen shumë shpejt për largimin e Kaloshit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *