Ndryshime të Kukësi, Alijev pritet titullar

0

Java e parë solli fitoren, por jo lojën. Me Partizanin do të jetë tjetër muzikë dhe sulmuesi nga Azerbajxhani është projektuar të luajë nga minuta e parë

Jurgen Zela

Pikët janë ato që vlejnë në këtë moment, megjithatë pritshmëritë për një skuadër si Kukësi, me status kampioni, janë më të mëdha. Si në ndeshjen e Superkupës, ashtu dhe përballë Kamzës, ekipi i drejtuar nga trajneri Mlladen Milinkoviç është paraqitur nën nivelin mesatar. Fakti që ndeshja e parë e sezonit luhej në shtëpi, e kthente në detyrim fitoren, që u arrit. Edhe pse ndoshta skuadrës i duhet dhe pak kohë që të konsolidohet, java e dytë sjell një përballje “të ethshme”, pasi kundërshtar do të jetë Partizani. “Demat e kuq”, ashtu si Kukësi, nuk po kalojnë një moment të mirë dhe humbja e tyre në premierën e sezonit e bën  ndeshjen edhe më të luftuar. Sezonin e shkuar Partizani nuk arriti ta mundte Kukësin në asnjë takim, megjithatë ndeshja e javës së dytë duket një provë mes dy skuadrave, por dhe për disa lojtarë në veçanti. Verilindorët pritet të kenë ndryshime nga java e parë, të ndikuara nga disa arsye.

NDRYSHIMET

Do të luhet në transfertë, përballë një kundërshtari me të njëjtin objektiv. Përballë Kamzës, Kukësi zbriti në fushë pa blerjen më të bujshme, sulmuesin Rauf Alijev. Siç deklaroi trajneri serb, Alijev mund të pësonte një goditje në aspektin psikologjik, nëse do të luante titullar dhe nuk do të ishte në nivelin që pritej, ndaj u aktivizua vetëm në fraksionin e dytë, duke qenë vendimtar me 11-metërshin e fituar. Azeri tashmë ndihet më i çliruar edhe për faktin se opinioni publik tashmë sheh vlera tek ai. Trajneri Milinkoviç do ta shohë sulmuesin në ditët në vijim dhe, me shumë gjasa, do të vendosë ta aktivizojë nga minuta e parë në ndeshjen e javës së dytë. Dilema është se kush do të jetë lojtari i sakrifikuar, pasi në repartin e avancuar Guri, Shtubina dhe Bakaj janë paraqitur mirë. Do të jetë e vështirë për të vënë gishtin te lojtari, që do të ulet në stol. Normalisht, nëse tekniku serb nuk ndryshon modul, për të sakrifikuar një mesfushor për një sulmues, do të ishte e habitshme që në shtëpi të luash me një sulmues dhe në transfertë me dy lojtarë në vijën e avancuar.

Një tjetër dilemë është ajo e Albi Allës. Mbrojtësi pësoi një dëmtim para ndeshjes së Superkupës dhe donte afro 10 ditë për t’u rikuperuar. 24-vjeçari po punon shumë dhe po bën çmos, që të jetë i gatshëm për përballjen e radhës, megjithatë duhet konfirmimi i stafit mjekësor. Rikthimi i tij në formacion do të ishte një siguri më shumë për Kukësin, që do të shihte prapavijën e njëjtë me atë të sezonit të shkuar.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here