Ndryshim rrënjësor nga koha e Gegës, Olsi Rama tani e gjen fajin te arbitrat: Gabim delitantesk!

Sa shumë ndryshime ka Partizani i këtij viti nga ai i sezonit të parë, kur u shpall kampion. Kjo nuk vihet re vetëm te pikët dhe ecuria në këto ndeshje, por edhe te sjellja e klubit. Kur Skënder Gega erdhi në stolin e të kuqëve, së bashku me Olsi Ramën vendosën standardin: “Nuk do merremi fare me arbitrat edhe kur e kanë gabim. Asnjë fjalë më shumë. Të shohim punën tonë”.

Kështu edhe ndodhi. Pavarësisht gabimeve që mund të vinin nga drejtësia, Partizani nuk u ankua kurrë dhe arriti të fitonte një titull që e dominoi në çdo javë. Por me ardhjen e trajnerit Lerda, e vetmja gjë e bukur deri tani është ai derbi i fituar me Tiranën.

Por në fakt edhe këtu nuk ka shumë merita të jashtëzakonshme, pasi të kuqtë po e dominojnë këtë përballje prej vitesh. Tashmë ndryshimi ka prekur edhe Olsi Ramën, që e sheh gabimin te arbitrat dhe jo te skuadra që nuk po bind, ndërsa me trajnerin Lerda ka edhe përplasje brenda ekipit.

“Nuk po merrem fare me kartonët e verdhë që mori Romero, që në 36 minuta bëri vetëm një gjysmë faulli dhe u dënua me karton të kuq, ndërkohë që mbrojtësi i djathtë i Teutës, në mënyrë flagrante ndaloi Melon. Ajo ndërhyrje është një karton i verdhë në mesfushë, kur ndërpret aksionin dhe jo më ndaj një lojtari që ishte duke shkuar drejt portës dhe do ishte kartoni i dytë i verdhë, që do e vinte lojën në baraspeshë. Kjo është një ngjarje që unë do ta përshkruaj si gabim delitantesk. Arbitri ka kaq kohë që gjykon në Superiore që fatkeqësisht vazhdon të bëjë të tilla gabime, ose një keqdashje e tij, që në mënyrë evidente nuk ndëshkon 2 lojtarë me uniformën blu vetëm se nuk do që të vejë drejtësi në fushë. Kam 2 vjet drejtor i Partizanit. Protestat e mija ndaj arbitrit kanë qenë vetëm 1 herë në ndeshjen ndaj Kukësit në “Selman Stërmasii”, ka thënë sipas asaj që raporton “Supersport”, Olsi Rama. /Sport Ekspres/