Ndreu sfidon: Partizani ka mbrojtjen më të mirë? Ne kemi sulmin!

Ramadan Ndreu, trajneri i Kukësit, e nis kundër Partizanit aventurën e tij si trajneri i verilindorëve. Një ndeshje mjaft të rëndësishme, që krutani me skuadrën e tij dëshiron shumë ta fitojnë. Nëse ndodh, atëherë edhe gara për titull do të bëhet mjaft interesante, pasi diferenca do të shkonte në 6 pikë. Gjatë konferencës Ndreu tregoi avantazhet e Kukësit, ndërkohë që theksoi se nuk do të bëjë shumë ndryshime në skuadër.

“Ndeshja me Partizanin është e rëndësisë së veçantë, pasi kanë kryesuar gjatë gjithë kampionatit. Gjatë kësaj periudhe jam i kënaqur me punën e bërë. Kemi avantazhe dhe jemi më të etur për të marrë pikët, si dhe jemi një skuadër që mund të rivalizojmë deri në fund. Duke krahasuar dy skuadrat, kemi avantazhe. Shoh më shumë mobilizim për të marrë fitore. Kuptohet do shumë shumë punë, pasi Partizani jo kot është në krye.”

“Partizani ka mbrojtjen më të mirë? Nëse ata kanë mbrojtjen më të mirë, ne kemi sulmin. Jemi munduar të punojmë me kujdes, e kemi ndjekur Partizanin me kujdes. Me sulmin që kemi mendojmë ta çajmë kundërshtarin. Sulmi nis nga mbrojtja dhe jemi munduar të qarkullojmë topin dhe të dalim para portës. Kemi lojtarë që në fund duhet ta zgjidhin.”

“I dime mungesat e kundërshtarit. Jam trajner që nuk i njoh mungesat. Edhe ata që janë në stol japin më shumë kur u vjen momenti. Ndoshta Shameti, që është një shtyllë, është një goditje. Na mungon Ethemi, që hyn te mungesat e rëndësishme. Këta të stolit do japin më të mirën.”

“Gara për titull është e hapur deri sa lejon matematika. Nuk kemi presion. U kam thenë futbollistëve, të tregojmë se jemi skuadër e mirë jo vetëm në letër. Futbolli të sjell edhe humbje, apo barazime. Ne duam të fitojmë dhe do bëjmë maksimumin.”

“Sulmi me dy lojtarë? Do të vazhdojmë me të njëjtin rreshtim. Këto 10 ditë jemi munduar të pasojmë punën e bërë përpara. Nuk duhen ndryshime të mëdha. Nuk ka asgjë nëse ndonjë nga sulmuesit e nis nga stoli. Na kthehen Rama e Korderio dhe do jemi të frikshëm në sulm. Në këto moment skuadra do vazhdojë me lirshmërinë e vet. Do ndërhyj në disa gjëra të vogla.”

“Ju e njihni presidentin, ai gjithmonë ka objektiva. Unë jam dakord, që sa kohë lejon matematika, do pretendojmë. Nëse fitojmë, atëherë realisht jemi në garë.”

“Fusha? Kjo skuadër sivjet meriton fjalët më të mira, pasi të gjitha ndeshjet i ka luajtur jashtë. Elementi fushë ndikon shumë. Jemi mësuar dhe nuk është shumë problem.”

“Do luajmë në sulm, por nuk do harrojmë mbrojtjen. Duhet ekuilibër. Në vijën e parë kemi lojtarë shumë të mirë dhe puna jonë është fokusuar aty.”

“Çmimi i biletës? Nuk më përket mua kjo pjesë. Ashtu e ka parë të arsyeshme klubi. Jemi menduar për fushën, nuk ishte strategji. Fusha në Elbasan nuk ëshët shumë e mirë, në Shkodër është më mirë. Po të isha tifoz, do shkoja dhe do blija biletën 10 mijë lekë”, përfundoi Ndreu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *