Ndreu: Kukësi më i motivuar se Partizani, Cuculi na jep garanci

Kukësi luan një finale me Partizanin, ndërkohë që pushimi i kampionatit i ka ardhur në ndihmë verilindorëve për të rikuperuar disa prej futbollistëve. “Kjo periudhë na ka shërbyer shumë, për vetë faktin se kemi pasur dëmtime. Edhe mua më ka ndihmuar, jo se nuk e njoh skuadrën, por krijohet një afërsi me ekipin në momente të tilla”, shprehet Ndreu në Supersport.

Tekniku krutan flet edhe për konkurrencën, gjendjen e Cuculit dhe të Musollit. “Jam nga ata që çdo lojtari i jap atë që meriton. Nuk ka hatërmbetje në skuadër. Kur ka shumë lojtarë cilësorë, ka rivalitet dhe kjo e çon skuadrën përpara”, shton Ndreun, i cili nuk ndalet me kaq.

“Cuculi është gati, ndoshta jo në 100 për qind të formës së tij. Gjithsesi ai është i domosdoshëm, për vetë pozicionin delikat që mbulon. Eksperienca e tij na jep garanci. Musollin e kemi aktivizuar në ndeshjet stërvitore dhe në miqësore, por ende nuk është gati. Besoj se për 2-3 javë do të jetë edhe ai gati”, deklaron trajneri i Kukësit.

Në fund ai flet edhe për ndeshjen me Partizanin, që luhet të premten në Shkodër: “Shkojmë për të treguar më të mirën me Partizanin. Kuptohet që fitorja na bën punë dhe duam ta fitojmë. Sigurisht është futboll dhe janë tre rezultatet në lojë. Jemi të mobilizuar, kemi më shumë dëshirë se kundërshtari, pasi duam të ngushtojmë diferencën”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *