“Ndonjëherë nuk të zë gjumi, sa e çuditshme”! Rrahmani i përhumbur: Sa keq që jam beqar tani

Serie A është pezulluar deri në përmirësimin e situatës nga pandemia botërore Covid-19 dhe gjithë italianët janë të izoluar në shtëpitë e tyre, si arma e vetme për të luftuar këtë armik që nuk po kursehet aspak sa i përket të infektuarëve. I karantinuar në Verona është edhe mbrojtësi i shqiptar Amir Rrahmani. Kapiteni i dardanëve është prononcuar për “Fan Zone” në “Supersport”, ku tregon se po kalon një moment të vështirë, teksa ka raste që nuk e zë as gjumi. Rrahmani duket disi i përhumbur nga kjo gjendje, megjithatë intervistën ka vendosur ta mbyllë me të qeshur, duke thënë se nuk duhej të ishte beqar, pasi ka mbetur i vetëm në shtëpi.

“Ndonjëherë nuk na zë as gjumi, askush nuk e priste se do të vinte ky moment. Është vërtet një situatë e çuditshme, nuk e di, është prishur komplet ky regjimi ynë tani. Po stërvitemi nga shtëpia, por prapë nuk është njësoj si më parë. Nuk kemi bërë test për Koronavirus, pasi nuk kemi pasur simptoma. Na kanë thënë që do kthehemi në fushë në datën 4 prill, por e shoh shumë të vështirë. Kur do shkoj te Napoli? I bie në 1 korrik, po nuk e di fare se çfarë do bëhet. Tani po e shoh që qënka keq të jesh beqar. Kam ngelur vetëm”, thotë duke qeshur Rrahmani. /Sport Ekspres/