Ndodh mrekullia, Reus Deportiu i shpëton falimentimit!

Para pak javësh flitej vetëm për borxhe dhe falimentim, aq sa javën e shkuar nuk u luajt fare ndeshja e kampionatit, por tashmë makthi i Reus Deportiut ka marrë fund dhe si në filma, gjithçka po mbyllet bukur.

Klubi katalanas i Segunda Division ishte në fije të perit, sepse borxhet e shumta kishin bërë që futbollistët të mos paguheshin prej muajsh dhe prej dhjetorit shumë lojtarë u detyruan të largoheshin.

Mbetën rreth 15 futbollistë në total, duke përfshirë disa të rinj, por me vetëmohim këta heronj fituan 3-0 në Malaga në 6 janar dhe barazuan 1-1 ndaj Numancias në 12 janar.

Sfida ndaj Las Palmas fundjavën e shkuar nuk u luajt, me urdhër të federatës spanjolle, por duket se vetëmohimi i trajnerit dhe lojtarëve të Reus preku të gjithë dhe tashmë klubi ka gjetur pronar të ri, pikërisht kur po bëhej gati funerali i klubit.

Një kompani amerikane pronash të patundshme, US Real Estate Investment Bankers Russel C. Platt and Clifton V. Onolfo, ka blerë klubin dhje do të ndërtojë një stadium me 18.000 vende në bashkëpunim me qytetin e Reus dhe Katalunjën.

Për momentin Reus është në vendet e fundit në Segunda, aty ku ka vetëm pak vite histori, por pronarët e rinj kanë premtuar merkato, mbijetesë këtë vit dhe Primeran brenda një periudhe të shkurtër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *