Ndodh me VAR në “La Liga”, kërkohet përsëritja e ndeshjes

Megjithëse u vendos për të shmangur gabimet në ndeshjet e futbollit, VAR-i duket se nuk po e përmbush qëllimin e tij, duke hapur edhe polemika të mëdha. Një rast i tillë vjen nga Spanja, ku Leganes ka apeluar për të përsëritur ndeshjen ndaj Levantes, pasi sipas tyre sistemi VAR  dështoi të jepte një vendim të drejtë.

Shkak ka qenë një 11 metërsh i akorduar nga sistemi video asistent pas një ndërhyrje të Dimitris Siovas ndaj Roger Marti, të cilën klubi i Leganes e cilëson si goditje dënimi për shkak se sipas tyre kontakti ka ndodhur jashtë zone. Vendimi i VAR ka kaluar përmes telefonit nga arbitri i katërt te ai kryesori, teksa pajisja komunikuese e këtij të fundit ndaloi së funksionuari.

Takimi përfundoi me fitoren 2-1 të kundërshatarëve dhe Leganes e gjen kështu veten në fund të tabelës së renditjes në La Liga. Prandaj, presidentja e klubit spanjoll, Victoria Pavon, ka vendosur të kërkojë që ndeshja me Levanten të riluhet që nga minuta e 44-t, në të cilën ndodhi episodi i diskutueshëm.

“Shumë gjëra serioze ndodhën në këtë ndeshje, si rasti kur një faull jashtë zone quhet penallti kundër nesh. Kjo ka ndodhur edhe në ndeshjen kundër Valencias disa javë më parë. Sistemi VAR nuk ka funksionuar saktësisht, kështu që ne nuk kemi qenë në gjendje të konkurojmë në kushte të barabarta”, ka thënë Pavon./Sport Ekspres/