“Ndizet” Shkëndija pa Osmanin, kuqezinjtë e Tetovës thyejnë mallkimin e fitores

Katër kavët e para në kampionatin maqedonas dhe Shkëndija nuk dukej gjëkundi. Tre humbje dhe një barazim. Kuqezinjtë nuk u besonin syve për atë çfarë po ndodhte me skuadrën kampione. Dukej si një mallkim që pllakosi klubin e disa të tjerë e quajtën një krizë të imponuar nga drejtuesit. Por ditët e vuajtjes mesa duket kanë marrë fund.

Fitorja e parë për Shkëndijën ka ardhur gjatë javës së pestë. Tetovarët kanë fituar pastër ndaj Rabotnicki me rezultatin 3-0. Një frymëmarrje edhe për trajnerin e përkohshëm Selimi, pas largimit të Qatip Osmanit. Shkëndija tashmë nuk ka kohë për hapa pas. Për kuqezinjtë shënuan S.Junior në minutën e 19″-të, Alimi në 37′-tën dhe me Totre në fundin e takimit.

Kundërshtarët në kampionat kanë fluturuar me pikë të konsiderueshme në podimin që dikur udhëhiqej nga Shkëndija. Katër pikë në 5 ndeshje janë pak por skuadra nis me fitore me trajnerin Selimi. Në ndeshjen e ardhshme skuadra shqiptare do të luaj në transfertë ndaj Renovas. /Sport Ekspres/