“Ndihem italian dhe shqiptar”, Kumbulla tregon përtej kufirit për zgjedhjen e Kombëtares

Marash Kumbulla është një nga talentet më premtues te Shqipëria. Mbrojtësi i Veronës është në vëmendjen e shumë klubeve të njohura, pas këtij super sezoni të nisur në Seria A. Me Kombëtaren ka debutuar vetëm pak minuta në ndeshjen ndaj Moldavisë.

Por si mbërriti deri në këtë zgjedhje? Vetë mbrojtësi ka shpjeguar shkurtimisht për mediat përtej kufirit se ndihet italian dhe shqiptar, pavarësisht se ka zgjedhur të përfaqësojë kuqezinjtë. Kjo pasi Kumbulla është formuar në Itali dhe ka një dashuri të veçantë për atë vend.

“Unë jam mirë, kam një zgjatim të muskulit, por shpresoj që të kthehem sa më shpejt. Është ëndrra e të gjithëve që të luajnë në Seria A. Unë ia dola edhe falë familjes. Origjinën e kam nga Shqipëria. Por ndihem italian dhe shqiptar, megjithëse zgjodha të luaj me Shqipërinë. Reja më njihte dhe më pëlqente nga fillimi. Prandaj dua ta falenderoj”, ka thënë Kumbulla. /Sport Ekspres/