Ndeshje “zjarri” në “Selman Stërmasi”, Tirana dhe Kukësi përplasin “brirët”

Tirana dhe Kukësi do të ndeshen sot në mbrëmje në një takim “zjarri”, pasi pozitat ku ndodhen skuadrat bëjnë që të dyja ekipet të kërkojnë medoemos fitoren. Tirana është në një krizë të thellë, pasi me vetëm 9 pikë pas 11 javësh e sheh veten shumë pranë zonës së rënies. Kukësi në krahun tjetër është klubi i vetme që e ka deklaruar se i vetmi objektiv është titulli kampion. Por ndodhet jo pak pikë larg kreut.

Tirana u mund në ndeshjen e fundit nga Teuta me përmbysje, duke treguar të tjera probleme. Kukësi gjithashtu u thye nga Flamurtari, duke regjistruar humbjen e tretë në 5 ndeshjet e fundit. Mema kërkon fitoren e parë në krye të stolit bardheblu, por nuk do ta ketë të lehtë me një kundërshtar që në fazën e parë i mundi me shumë lehtësi në “Loro Boriçi” me rezultatin 3-1.

Suksesin më të thellë këtë edicion Kukësi e ka regjistruar pikërisht ndaj kryeqytetasve dhe synon që të bëjë kthesën sërish ndaj tyre. Kukësi e di se një tjetër hap i gabuar do ta bënte diferencën me kreun akoma dhe më të madhe, çka do e vështirësonte arritjen e objektivit, edhe pse jemi vetëm në fazën e dytë. Duket një takim shumë interesant dhe mjaft delikat, pasi humbja do i kushtonte shtrenjtë cilësdo skuadre.

Sa i përket skuadrave, si Mema ashtu dhe  Cungu kanë pasur jo pak probleme me dëmtimet. Në diskutim në kampin e bardhebluve është portieri Ilion Lika, i cili mund ta nisë nga stoli këtë sfidë dhe vendin e tij mund ta zërë Abibi. Mungojnë sërish Blazhevski, Kërçiku, Oduamadi e Turtulli të dëmtuar, por dhe Ngo i pezulluar.

Në anën tjetër Musolli dhe Rrumbullaku janë mungesa me peshë, por dhe Shkodra ka pasur probleme fizike të vogla, ashtu si dhe Maliqi. Megjithatë këto dy të fundit pritet që të jenë në fushë në këtë përballje. Shqetësimi madhor është Shameti, i cili nuk do të luajë dhe në vend të tij do të aktivizohet Harallamb Qaqi.

Kategoria Superiore – Java 12
E martë, më 6 nëntor, ora 18:00
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë

Tirana – Kukësi

Tirana: Lika, Doka, Atinga, Hoxhallari, Imami, Daja, Karabeci, Hasani, Kobinah, Greca, Sentamu. Trajner: Ardian Mema.

Kukësi: Frashëri, Maliki, Qaqi, Cuculi, Uilliam, Ethemi, Dzaria, Shkodra, Shafik, Kalaja, Rexhinaldo. Trajner: Armando Cungu.

Gjyqtarë: Enea Jorgji, Ermal Barushi, Ridiger Çokaj, Laver Alla, Indrit Myrtja
Delegat: Besnik Çela; Vëzhgues: Prek Pjetrushi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *