“Ndeshje e vërtetë, gabuam në mbrojtje”

Trajneri Kristian Panuçi foli pas ndeshjes për RTSH: “Jam shumë i kënaqur me fitoren dhe mënyrën se si u sollëm në fushën e lojës. Vuajtëm pas daljes së Memushajt me të kuqe”

Afrimet e reja më pëlqyen Trajneri Kristian Panuçi ka folur pas fitores me Turqinë. Numri një i stolit është shfaqur shumë entuziast pas fitores me turqit. Më shumë se sa për vetë fitoren, italianin e ka kënaqur loja e ekipit dhe mënyra se si u soll ekipi në fushën e lojës. Ai pranon se skuadra ka shumë gjëra për të përmirësuar, sidomos në mbrojtje ku pësojmë gola të evitueshëm.

– Sa vlera ka fitorja me Turqinë?

– Mendoj se ishte ndeshje e vërtetë, pasi luajtëm deri në momentin që Memushaj doli me të kuq. Një ndeshje të madhe me futboll të lartë dhe cilësi, pasi kemi punuar gjatë javës. Lojtarët u shprehen mjaft mirë në fushën e lojës dhe zbatuan skemat që menduam.

– Në mbrojtje tregohemi naivë në momentin që pësojmë, si mund të përmirësohemi?

Jemi duke punuar, kemi marrë dy gola të evitueshëm. Duhet të punojmë më shumë, por edhe Turqia ka lojtarë cilësorë. Duhet ta përmendim edhe këtë.

– U shfaqët shumë nervoz në kartonin e kuq të Memushajt, e kishit me lojtarin, apo arbitrin?

– Natyrisht për sa i përket kartonit të kuqi, nuk i lejoj asnjë futbollisti të bëjë veprime të tilla. Më vjen keq, pasi po luanim shumë mirë deri atëherë.

– A jeni i lumtur me afrimet e reja në Kombëtare?

– Jam i lumtur me prurjet e reja. Janë futbollistë që luajtën për herë të parë me ekipin tonë dhe natyrisht kanë emocionet e tyre. Kanë akoma gjëra për të përmirësuar, por janë pjesë e rëndësishme e ekipit tonë.

– E mbyllët mirë 2017-ën, çfarë prisni në 2018?

– Nuk është fitorja më e rëndësishme , por mënyra se si e morën. Treguam futboll shumë të mirë dhe cilësor, një super ndeshje në pjesën e parë, por vuajtëm në pjesën e dytë. Mënyra se si e arritëm ishte më e rëndësishme se fitorja. Jam shumë i lumtur për mënyrën se si u paraqitën djemtë. Kishim punuar fort gjatë javës dhe u shpërblyem. Kemi shumë për të punuar dhe të fitojmë më shumë qetësi dhe seriozitet. Nuk e di se sa vite kishte Shqipëria që kishte fituar me Turqinë, më vjen mirë që e arritëm.

– A do ta shihni Italinë? Besoni se do të jetë pjesë e Botërorit?

– Jam italian dhe jam krenar për këtë. Do të mundohem ta shoh përmes telefonit, shpresoj të fitojmë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *