Ndeshja historike për mbrojtësin e Shqipërisë U-21, Geraldo Bajrami debuton në “Championship”

Geraldo Bajrami është një futbollist për t’u mbajtur shënim nga tifozët shqiptarë. Futbollisti 20-vjeçar ka treguar gjithë klasin e tij edhe te Shqipëria U-21, duke fituar menjëherë besimin e trajnerit Alban Bushi.
Gjithashtu edhe te Birminghami U-23 ka mbajtur shiritin e kapitenit, por dita e sotme, është historike për djaloshin.

Kjo pasi ka bërë debutimin në “Championship”, atje ku për fat të keq ka ardhur humbja në shifrat 2-3 ndaj WBA, që kryeson kampionatin. Por pavarësisht shifrave, Bajrami ka lënë një shije shumë të mirë në fushë, duke u konsideruar si një nga më të mirët në krahun e Birminghamit. Sinjali ka ardhur që në ndeshjen e shkuar, teksa u përfshi me skuadrën e parë dhe ishte në stol.

Këtë herë Geraldo Bajrami e ka nisur nga minuta e parë duke zhvilluar 90 minuta të plota, ndërsa Shqipërisë po i vjen një garanci e madhe në mbrojtje. Ajo që spikat tek ky lojtar është fiziku i tij, duelet ajrore dhe siguria e madhe në ndërhyrje. /Sport Ekspres/