Ndeshja e Xhenovës dhe iniciativa e Italisë, Mançini: Shpresoj të sjellim gëzim në qytet

Roberto Mançini po përgatitet për ndeshjen miqësore kundër Ukrainës, që do të zhvillohet ditën e mërkurë në Xhenova. Një rikthim emocionues për 53-vjeçarin, i cili ka luajtur për 15 sezone me Sampdorian, ku arriti të fitonte titullin në vitin 1991.

Një vit më vonë arrinte të luante në finalen e Ligës së Kampioneve, ndeshje që Sampdoria e humbi përballë Barcelonës me rezultatin 1-0. Mançini shpreh emocionet e tij për këtë sfidë dhe rikujton situatën e vështirë, si pasojë e shembjes së urës.

Është shumë e rëndësishme për ne të luajmë të mërkurën në Xhenova dhe shpresoj të vihemi në ndihmë të qytetit. Më kujtohet kur më morën për të më lajmëruar për shembjen e urës dhe më dukej diçka e pabesueshme. Federata ka dëgjuar autoritetet dhe mendoj që do të jenë dy ditë të veçanta për të lehtësuar dhimbjen e të gjithë njerëzve, të cilët janë prekur nga shembja e urës. Xhenovezët janë të fortë, sidomos në momente të vështira. Është një situatë e pabesueshme dhe shpresa jonë është që kombëtarja të sjellë pak gëzim në qytet.”

Federata Italiane e Futbollit ka marrë një iniciativë të bukur, pasi do të paguajë studimet e nëntë fëmijëve të mbetur jetimë nga shembja e urës, ndërsa Mançini zbulon dhe disa detaje të tjera nga ndeshja e së mërkurës.

Do të shkojmë në urën Morandi, do të qëndrojmë aty ku do të na thonë për të ndihmuar ata që jetojnë në atë zonë dhe kanë mbetur pa shtëpi. Të qëndrosh dhe për pak kohë aty, besoj se do të jetë një tregues i madh. Në minutën e 43-të të ndeshjes me Ukrainën, ndeshja do të ndërpritet për 30 sekonda në kujtim të viktimave. Besoj se do të ftohen të marrin pjesë në stadium personat e zhvendosur dhe do të ketë një mbishkrim në uniformat tona. Është e rëndësishme t’i kujtojmë dhe shpresoj që të përfundojë sa më shpejt ndërtimi i urës së re”, përfundon trajneri i Italisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *