Nderi i Shkodrës është Vllaznia e të rinjve, shtohet edhe një trofe

Vllaznia shpallet kampione e Shqipërisë për U-19, pasi ka mundur në finale skuadrën e Flamurtarit në shifrat 2 me 1. Ka mjaftuar një gol i Repajt në pjesën e parë me penallti dhe rrjeta e Grudës në të dytën, për ta mbajtur trofeun në Shkodër. Ndërkohë, për vlonjatët shënoi Rrapaj në të dytën, por nuk i mjaftoi skuadrës së tij për të fituar kampionatin.

NDESHJA – Përballja nis mjaft mirë për shkodranët, të cilët ushtrojnë presion qe në fillim dhe shfaqen rrezikshëm në portën e Qirkos. Gjithsesi, rastet nga goditjet standarte nuk shfrytëzohen si duhet dhe vlonjatët ia dalin ta mbajnë portën të paprekur, të paktën deri në minutën e 27′. Shkodranët fitojnë një penallti që shndërrohet në gol nga Repaj, duke kaluar në avantazh skuadrën e tij. Vllaznia është më e qetë dhe mundohet qe në pjesën e parë të administrojë rezultatin, ndërsa vlonjatët regjistrojnë vetëm një pretendim për penallti dhe asgjë më shumë. E dyta nis me një tjetër ritëm, pasi luhet fort në mesin e fushës dhe për minuta të tëra mungojnë rastet për shënim.

Gjithsesi, në të 67′ është radha e Grudës për të dyfishuar shifrat, duke hipotekuar në njëfarë mënyrë edhe fitimin e titullit. Por, vlonjatët nuk i humbin shpresat dhe në të 83′ ngushtojnë shifrat me anë të Rrapajt. Shtatë minuta shpresë për të besuarit e Resulit, te cilët hidhen në sulm për të barazuar shifrat dhe shpresuar tek përmbysja. Nuk ndodh kështu, pasi shkodranët e Zmijanit mbrohen mirë dhe në fund ia dalin të ruajnë avantazhin. Mbyllet gjithçka 2 me 1 me Vllazninë që merr kampionatin dhe “ngushëllon” tifozët shkodranë pas rënies nga kategoria e ekipit të parë.

Fatmir Popja

VLLAZNIA – FLAMURTARI         2 – 1
E enjte, 31 maj 2018, ora 17:00, stadiumi “Elbasan Arena”, Elbasan
Shënues: Repaj 27′ (p), Gruda 67’/ Rrapaj 83′

Vllaznia: Qarri, Smajli, Kulla (Dani 90’+2), Repaj (Shimaj 64′), Rahova, Gruda, Hoxha, Palushani, Lekaj, Fikaj (Mehja 82′), Lisaj (Qardaku 69′). Trajner: L. Zmijani
Flamurtari: Qirko, Qarri, Muçollari (Murati 79′), Merkaj (Nebiu 57′), Skraparlliu, Seferaj (Rrapaj 44′), Halili, Hysaj (Kolila 59′), Mataj, Haruni, Diamanti. Trajner: D. Resuli
Kartonë të verdhë
: Repaj 16′, Kulla 79′, Rahova 81’/ Skraparlliu 10′, Qarri 40′
Gjyqtarë
: O. Sokoli, A. Koçiaj, B. Mesi
Delegat
: Erald Shera

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *