Ndërhyrja brutale/ Polemika në Bundesligë, luftaraku Gjasula i shpëtoi paq kartonit të kuq

Teksa trajneri Edi Reja prezantonte emrin e tij në listën e Kombëtares, Klaus Gjasula ishte nisur drejt Wolfsburg. Skuadra e tij, Paderborn, luante në transfertë javën e tretë të Bundesligës. Një ndeshje e vështirë por që Gjasula arriti të rrëmbej pikën e parë në sezonin e ri të kampionatit që sapo ka nisur. Rezultati 1-1 ndaj  Wolfsburg mund të shkonte për keq në fund të takimit.

Ishte pikërisht mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë i cili ka ndërhyrë mjaft ashpër ndaj lojtarit kundërshtar. Teksa luhej minuta e 90+6′ topi ishte në këmbët e mbrojtësit Gerhardt. Gjasula në tentativë për të marrë topin nga kundërshtari, gjen këmbët e këtij të fundit duke e hedhur përtokë në pak sekonda. Arbitri akordon faull dhe karton të verdhë për Klaus Gjasulën. Nën heshtje mesfushori shqiptar ka pranuar ndëshkimin duke pranuar pas ndeshjes se ishte karton i merituar megjithëse ai nuk ishte nisur lër të shkaktuar faull.

Po i të njejtit mendim nuk kanë qenë trajneri dhe presidenti i klubit të Paderborn. Tekniku gjerman Baumgart ka thënë se për atë lloj ndërhyrje mund të akordohej karton i kuq. Ndërsa presidenti Przondziono është ndier mirë kur ka parë se lojtari i Wolfsburg nuk ka pësuar lëndim pas asaj ndërhyrje të drejtpërdrejtë.

Klaus Gjasula shquhet për shpirtin luftarak në fushën e lojës. Një nga asetet aq të çmuara nga trajneri Reja i cili nuk nguroi të thërras në Kombëtare lojtarin e Padreborn. Nëse mendoni se mesfusha e Shqipërisë do të jetë e dobët, gaboheni. Në të gjendet një ushtar si Gjasula i cili është i gatshëm të shkojë deri tek këmbët e kundërshtarit për mos të lejuar topin të kalojë./Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *