Ndali Mesin në Botëror, islandezi bëhet shok ekipi me Ansi Agollin

Hannes Halldorson u bën protagonist në këtë Kupë Bote pasi ndali Lionel Mesin nga pika e bardhë e penalltisë. Gardiani 34-vjeçar mbrojti portën e Islandës në Botëror, por nuk mundi që ta ndihmonte skuadrën që të shkonte më larg se grupet.

Gjithsesi për të në aspektin personal mosha e penalizonte, por pas mrekullisë që bëri ndaj pesë herë fituesit të topit të artë shumëkush mund ta kishte menduar në një skuadër me emër. Nuk ka ndodhur aspak kështu, pasi “gardiani” do ta vijojë karrierën e tij në Azerbajxhan.

Është skuadra e Karabakut që ka zyrtarizuar arritjen e marrëveshjes. Në këtë mënyrë Halldorson do të jetë shok skuadre me Ansi Agollin, kapitenin e përfaqësueses së Shqipërisë.

Jo vetëm kaq, por islandezi mund të vijë shumë shpejt në Shqipëri, kjo për një arsye të thjeshtë. Nëse Kukësi kalon Valetën në turin e parë kualifikues të Champions League-s dhe Karabagu eliminon sllovenët e Olimipa Lubjanës atëherë do të ndeshen në raundin e dytë së bashku.

Jehona e këtij transferimi ka shkuar deri në Argjentinë, ku mediat raportojnë se ku ka përfunduar ai që e ndali Mesin në Botëror.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *