Ndalet dominimi i Dinamos së Zagrebit, edhe Kroacia ka një “Kukës”

0

Është viti i çudirave në Ballkan, në aspektin futbollistik, sepse ka pasur revolucion në disa kampionate.

Në Shqipëri Kukësi ndali hegjemoninë e Skënderbeut dhe fitoi titullin e parë kampion në historinë e vet.

Në Rumani Vitoruli i George Haxhit bëri të njëjtën gjë, duke thyer Steauan.

Në Kosovë erdhi triumfi historik i Trepçës ’89, që do të jetë edhe kampionia e parë që merr pjesë në kupat e Europës.

Ndërkaq, në Kroaci është thyer miti Dinamo Zagreb dhe ky është lajm i bujshëm.

Prej vitit 2006 në Kroaci nuk kishte asnjë klub të aftë të thyente gjigantin kryeqytetas, që regjistroi 11 tituj rresht, por këtë sezon e ka ndalur Rijeka, e cila më parë në historinë e vet krenohej vetëm me 5 vende të dyta në kampionat.

Klubi nga qyteti bregdetar nuk ishte shpallur kurrë kampion në historinë e vet, por në vitet e fundit ka bërë një punë të shkëlqyer, me investime të rëndësishme që e kanë afruar gradualisht me Dinamon dhe këtë vit ka ardhur përmbysja e madhe. Me një javë nga përfundimi, Rijeka mposhti fundjavën e shkuar Cibalian 4-0 dhe tashmë ka 5 pikë avantazh ga Dinamo, çka do të thotë se titulli është siguruar edhe matematikisht.

Rijeka drejtohet nga një emër i njohur si slloveni Matjazh Kek, i cili më në fund ka realizuar ëndrrën e përjetshme. Festa ka zgjatur tërë natën në Rijeka dhe do të vazhdojë edhe javën e ardhshme, sepse në javën e fundit si për koincidencë Rijeka viziton pikërisht Dinamon e Zagrebit, me të cilin do të ndeshet më pas edhe në finalen e kupës.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here