Napoli rimerr kreun, Hysaj perfekt edhe si i majtë

Interi e gëzoi vetëm 24 orë kreun e renditjes në Serinë A, sepse sot Napoli fitoi në Udine, me një gol të shënuar nga Zhorzhinjo. Një ndeshje jo e lehtë dhe lojë e shëmtuar në sulm nga skuadra e Sarrit, por Napoli tregoi se është një skuadër e pjekur, e aftë të presë momentin e duhur për të goditur dhe me shumë siguri në prapavijë.

Vendimtar u bë Maxhio, mbrojtësi i djathtë që është zëvendës i Hysajt, por mbrojtësi i kombëtares sonë kaloi në krahun e majtë, për shkak të dëmtimeve.

Maxhio fitoi penalltinë prej së cilës u vendos ndeshja, ndaj meritoi cilësimin e më të mirit në fushë. Edhe Hysaj luajti një ndeshje mjaft të mirë, duke u vlerësuar me notë 6 deri në 6.5. Do të ishte vlerësuar edhe më lart, por Hysaj rrallë ndërmerrte iniciativa në sulm, duke u mjaftuar me blindimin e krahut të tij, ku nuk kalonte askush.

Ndërkaq, Milani e Roma ndalen te barazimi.

Milani nuk ia doli kundër Torinos, në një ndeshje që përfundoi 0-0, me Milanin që bëri pak për të fituar, edhe pse i krijoi disa raste për shënim. Edhe Torino në pjesën e dytë pati raste ideale, por Donaruma ishte perfekt. Zhgënjimi i radhës për kuqezinjtë, më keq se kaq nuk ka ku të shkojë.

Roma gjithashtu zhgënjen, sepse barazon 1-1 në Xhenoa. El Sharaui shënoi në pjesën e dytë dhe u duk se mori fund, por më pas De Rosi shkaktoi një 11-metërsh dhe doli me karton të kuq, ndërsa Lapadula siguroi pikën për Xhenoan. Ishte frenimi i parë sezonal jashtë fushe për Romën, që largohet nga kreu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *