Napoli refuzon yjet sepse… janë të shtrenjtë dhe pleq

Tifozët ëndërrojnë blerjen e madhe në sulm, por presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis hedh poshtë çdo zë të merkatos. Duke nisur nga hipoteza e rikthimit të Edinson Kavanit në “San Paolo”, ku madje janë përfolur edhe detajet e kontratës me pagë 8,5 milionë euro në vit.

“Nëse do të ishte pagë 8,5 milionë euro duke përfshirë edhe taksat edhe mund të flisnim”, tha presidenti i Napolit, që shtoi: “Kur bëhet fjalë për paratë, askush nuk i bën ulje askujt. Kavani i do tifozët e Napolit, por ai fiton 20 milionë euro bruto në 10 muaj. Nuk besoj se do ta përgjysmonte rrogën, sepse në të kundërt do ta kisha rikthyer”.

Më tej, De Laurentis foli edhe rreth spekulimeve mediatike, sipas të cilave në tentativë për t’iu kundërpërgjigjur Juventusit, Napoli po studion edhe dy pista të tjera. Bëhet fjalë për sulmuesin e Realit të Madridit, Karim Benzema dhe për argjentinasin e Paris Seint Zhermen, Angel Di Maria.

De Laurentis tha: “Nuk kam ndërmend të bëj çmenduri për të kënaqur trajnerin Ançeloti. Lajmet për Di Marian dhe Benzema janë të gjitha false. Ndërmjet meje dhe Ançelotit kemi një marrëveshje, për të cilën kemi rënë dakord. Megjithë respektin për këta dy lojtarë, por përse duhet të blej dy pleq?”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *