Napoli ka kundër edhe tifozët, kryqëzohen lojtarët: Shihemi në diskotekë, lojtarë mercenarë

Situata te Napoli vazhdon të jetë e rënduar, teksa këtë herë janë bërë pjesë e kësaj historie edhe tifozët. Këta të fundit nuk e kanë pritur mirë rebelimin e lojtarëve të klubit të tyre të zemrës, të cilët nuk janë duke treguar më të mirën as në fushën e lojës dhe as jashtë saj. Gjithashti pakënaqësi ka pasur edhe në drejtim te drejtuesëve të klubit italian, që nuk i kanë shpëtuar dot irritimit të tifozëve.

Një grup tifozësh napoletanë janë mbledhur ditën e sotme në ambientet jashtë stadiumit “San Paolo”, ku nuk kanë munguar thirrjet kundër futbollistëve të Napolit, senca stërvitore e të cilëve është shoqëruar gjatë gjithë kohës me vërshëllima. Mbështetësit napoletan kërkonin më tepër respekt nga futbollistët e tyre, të cilët i kanë etiketuar si mercenarë, ndërsa nuk mungonin edhe shprehjet ironizuese.

“Shihemi në diskotekë! Jeni ju mercenarët. Ne meritojmë më tepër”, janë fjalët e dëgjuara prej grupimit, që gjithashtu kishin shpalosur një baner ku shkruhej fjala “Respekt”.

Mbetet për t’u parë se si gjërat do të vendosen në vijë në kampin e të kaltërve, pasi një gjendja aktuale nuk të çon gjëkundi përveçse drejt një krize të thellë./Sport Ekspres/